Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, realizoi takim protokollar me ambasadorin e Republikës së Greqisë në Maqedoninë e Veriut, Joanis Malukos, në të cilin mori pjesë edhe zëvendësshefja e misionit, Kristina Vasilatu.
Në takim u theksua rëndësia e avancimit të bashkëpunimit dypalesh kulturor, me theks të veçantë në nënshkrimin sa më të shpejtë të Memorandumit të Bashkëpunimit në fushën e kulturës, i cili do të sigurojë kornizë për realizimin e projekteve të përbashkëta. Ministri Sulejmani përshëndeti mbështetjen e deritanishme të Ambasadës së Greqisë dhe theksoi rëndësinë e komunikimit miqësor dhe shkëmbimit të përvojave me vendet fqinje.
Ambasadori Malukos theksoi mbështetjen e Qeverisë greke për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe përshëndeti pjesëmarrjen e artistëve grekë në festivalet ndërkombëtare në vend, ndër të cilat edhe “Vera e Ohrit”.
Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Deri në fund të vitit pritet vizitë e re e ekspertëve grekë për të përcaktuar nevojat për sanimin e Hamamit të Daut Pashës dhe Çifte Hamamit, ndërsa u paralajmërua edhe bashkëpunim ndërmjet ekspertëve për konservimin e pjesëve të lokalitetit arkeologjik Stobi.
Ambasadori ofroi gjithashtu mundësinë e shkëmbimit të përvojave me Elefsinën, Kryeqytetin Evropian të Kulturës për vitin 2023, si mbështetje për përgatitjet e Shkupit për titullin Kryeqytet Evropian i Kulturës në vitin 2028.