Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Sulejmani: Muzeu i Shkencave Natyrore është ruajtës i pasurisë natyrore dhe thesar i dijes

Sulejmani: Muzeu i Shkencave Natyrore është ruajtës i pasurisë natyrore dhe thesar i dijes

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, mori pjesë në Akademinë solemne me rastin e shënimit të 100-vjetorit të themelimit të Muzeut të Shkencave Natyrore – Shkup, e cila u mbajt në Teatrin Popullor të Maqedonisë.

Duke iu referuar rëndësisë së këtij institucioni, Sulejmani theksoi se Muzeu tashmë prej një shekulli luan rol të rëndësishëm në studimin, ruajtjen dhe prezantimin e pasurisë natyrore të vendit, si dhe në zhvillimin e njohurive dhe ndërgjegjësimit për rëndësinë e natyrës.

“Njëqind vjet ekzistencë e një institucioni, i cili njëkohësisht është ruajtës i natyrës sonë, laborator i dijes dhe hapësirë ku breza të tërë të rinjsh kanë zbuluar kompleksitetin dhe bukurinë e botës së gjallë përreth tyre”, theksoi ministri.

Ai rikujtoi se Muzeu i Shkencave Natyrore është themeluar në vitin 1926, me nismën e dr. Stanko Karamanit dhe përfaqëson institucionin më të vjetër biologjik në vend. Gjatë një shekulli, përmes ndryshimeve shoqërore dhe përparimit teknologjik, Muzeu i ka mbetur besnik misionit të tij – të mbledhë, të studiojë, të ruajë dhe të prezantojë pasurinë natyrore të vendit.

Sipas Sulejmanit, Muzeu është gjithashtu hapësirë e rëndësishme arsimore, ku fëmijët dhe të rinjtë zbulojnë biodiversitetin, nxitet kureshtja shkencore dhe ndërtohet ndërgjegjësimi për nevojën e ruajtjes së natyrës.

“Në një kohë kur biodiversiteti përballet me sfida të vazhdueshme, rëndësia e një institucioni të tillë bëhet edhe më e madhe. Ministria e Kulturës dhe Turizmit e njeh rolin e tij dhe për këtë arsye e mbështet vazhdimisht, ndërsa kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ne besojmë fuqishëm se trashëgimia kulturore dhe ajo natyrore nuk janë fusha të ndara. Ato janë dy anë të të njëjtit identitet. Prandaj, investojmë në modernizim, digjitalizim, qasshmëri dhe forma të reja prezantimi, në mënyrë që Muzeu të mbetet i gjallë, tërheqës dhe relevant edhe në shekullin e dytë të ekzistencës së tij”, shtoi Sulejmani.

Ai theksoi se jubileu njëqindvjeçar është dëshmi e kontributit të rëndësishëm të Muzeut në shkencë dhe arsim, por edhe nxitje për zhvillimin e tij të mëtejshëm. Me këtë rast, shprehu mirënjohje për të punësuarit dhe të gjithë bashkëpunëtorët që ndër vite kanë kontribuar në zhvillimin e institucionit, duke theksuar se Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të vazhdojë ta mbështesë punën dhe zhvillimin e tij.

Në Akademinë solemne mbajti fjalim edhe drejtori i Muzeut të Shkencave Natyrore – Shkup, Ivica Zarkadov, i cili theksoi se zhvillimi i institucionit është rezultat i përkushtimit të brezave të kuratorëve dhe shkencëtarëve që kanë kryer hulumtime në terren, kanë krijuar dhe përpunuar koleksionet, kanë botuar punime shkencore dhe ua kanë përcjellë njohuritë brezave të rinj.

“Në ndërtimin e tij kanë kontribuar preparatorët, laborantët, kuadri teknik dhe administrativ, si dhe të gjithë të punësuarit, të cilët me punën e tyre të përditshme kanë mundësuar që Muzeu të mbijetojë dhe të zhvillohet”, theksoi Zarkadov, duke vënë në dukje se pasuria më e madhe e Muzeut nuk janë vetëm koleksionet, por edhe njerëzit që i kanë krijuar dhe ruajtur ato.

Në kuadër të ceremonisë u ndanë pllaka mirënjohjeje për bashkëpunëtorë, institucione dhe kompani që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Muzeut të Shkencave Natyrore – Shkup.

 

Accessibility Menu