Ministri Sulejmani në vizitë në institucionet kulturore në Strugë

Ministri Sulejmani në vizitë në institucionet kulturore në Strugë

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, në Strugë vizitoi Institucionin Nacional Muzeu “Dr. Nikolla Nezllobinski”, Institucionin Nacional Qendra e Kulturës “Vëllezërit Milladinovci”, si dhe Shtëpinë Përkujtimore të Vëllezërve Milladinovci.

Në bisedat me drejtorët e institucioneve, ministri u njoh me aktivitetet e tyre aktuale, programet dhe planet, si dhe me gjendjen dhe nevojat për funksionimin e tyre të mëtejshëm. Njëkohësisht, ai u njoh nga afër edhe me sfidat infrastrukturore me të cilat përballen institucionet, për tejkalimin e të cilave Ministria do të punojë në bashkëpunim me drejtuesit e tyre.
Vizita në Shtëpinë Përkujtimore të Vëllezërve Milladinovci ishte  mundësi për të riafirmuar rëndësinë e kësaj hapësire si pjesë e rëndësishme e kujtesës kulturore të Strugës dhe kulturës maqedonase. Ministria mbetet e përkushtuar në ruajtjen dhe afirmimin e trashëgimisë së lidhur me vëllezërit Milladinovci, të cilët janë ndër emrat më të rëndësishëm në historinë tonë kulturore dhe letrare.

Ministri Sulejmani vizitoi edhe Parkun e Poezisë, një vend simbolik që pasqyron traditën letrare të qytetit, si dhe “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”, një nga manifestimet poetike ndërkombëtare më të rëndësishme në vend dhe një ngjarje kulturore me renome shumëvjeçare ndërkombëtare.

“Struga ka trashëgimi dhe traditë kulturore që njihen edhe përtej kufijve tanë. ‘Mbrëmjet Strugane të Poezisë’ janë një nga simbolet më të fuqishme të kësaj tradite dhe është obligimi ynë të krijojmë kushte që ky manifestim dhe jeta kulturore e qytetit të vazhdojnë të zhvillohen dhe ta pasurojnë Strugën si qytet të poezisë”, theksoi ministri Sulejmani.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit vazhdon me mbështetjen e institucioneve kulturore në Strugë dhe me krijimin e kushteve për realizimin e pandërprerë të aktiviteteve të tyre programore.

Vizita në Strugë është pjesë e agjendës së punës së ministrit të Kulturës dhe Turizmit, e orientuar drejt njohjes së drejtpërdrejtë me punën, sfidat dhe nevojat e institucioneve kulturore në mbarë vendin, me qëllim që bashkërisht të krijohen zgjidhje për avancimin e tyre.

Accessibility Menu