Në kuadër të takimeve me institucionet kulturore, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, zhvilloi takim me drejtoreshën e Teatrit Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj – Shkup, znj. Zarije Jonuzi Çeliku.
Në takim u diskutua për funksionimin dhe zhvillimin e teatrit, me theks të veçantë te çështja e objektit, e cila prej vitesh mbetet sfida kryesore për këtë institucion.
Mungesa e një marrëveshjeje me pronarët e objektit e ka vështirësuar funksionimin e teatrit. Ministri Sulejmani theksoi se ekziston vullneti institucional për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe se synohet të arrihet sa më shpejt një zgjidhje konkrete.
U diskutua edhe për realizimin e programit vjetor, shfaqjet e realizuara dhe numrin e konsiderueshëm të reprizave, pavarësisht kushteve aktuale të punës.
Ministri theksoi gjithashtu nevojën për rritjen e buxhetit të programit vjetor, me qëllim realizimin e më shumë shfaqjeve dhe produksioneve më të pasura e cilësore për fëmijët dhe të rinjtë.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit mbetet e përkushtuar në mbështetjen e teatrit dhe në krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e veprimtarisë së tij.