Ministri Sulejmani inspektoi punimet për ndërtimin e Sallës Universale

Ministri Sulejmani inspektoi punimet për ndërtimin e Sallës Universale
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, sot inspektoi aktivitetet aktuale për ndërtimin e objektit të “Sallës Universale” në Shkup dhe u informua për dinamikën dhe progresin e punimeve ndërtimore.
Gjatë inspektimit, Sulejmani u informua nga drejtuesi i punimeve “Megaron Engineering” – Shkup, organi mbikëqyrës – Shoqëria për Menaxhimin e Projekteve “EOS E.E. Consulting” SHPK Shkup dhe kontraktori “Universal Balkan” SHPK Shkup, se aktivitetet po zhvillohen brenda afateve të përcaktuara me planin dinamik. Në objekt janë realizuar disa aktivitete të rëndësishme, ndër të cilat gërmimet në nivelin e bodrumit, ndërtimi i shtyllave, aktivitetet për mbrojtjen e konstruksionit, si dhe përpunimi dhe vendosja e elementeve të çelikut. Progres shtesë i aktiviteteve pritet të jetë i dukshëm që gjatë fundjavës së ardhshme.
Ndërkohë, në kapacitetet prodhuese të “Aktiva” në Shtip po punohet intensivisht për përpunimin e konstruksionit të çelikut. Një pjesë e konsiderueshme e elementeve konstruktive prej çeliku tashmë janë përpunuar, ndërsa sipas dinamikës së planifikuar, transporti dhe montimi i konstruksionit të çelikut, pa tribunat, duhet të përfundojnë më së voni deri në mesin e shtatorit të vitit 2026.
Sipas ministrit Sulejmani, “Salla Universale” është një objekt me rëndësi të veçantë për Shkupin dhe për jetën kulturore në vend. Veçanërisht i rëndësishëm është fakti se punimet po avancojnë dhe se ndërtimi duhet të vazhdojë me dinamikë të përforcuar dhe duke respektuar afatet e përcaktuara. Ai pret që në periudhën e ardhshme objekti të marrë një pamje më konkrete dhe të dukshme.
Ministri theksoi se Ministria e Kulturës dhe Turizmit edhe në të ardhmen do të vazhdojë ta ndjekë procesin e realizimit të projektit, në bashkëpunim me të gjitha subjektet kompetente të përfshira në ndërtim.
 

Accessibility Menu