Ministri i kulturës dhe turizmit, Zoran Llutkov, i cili kryeson delegacionin maqedonas në një vizitë pune në Mbretërinë e Spanjës, sot në Madrid mori pjesë në hapjen solemne të edicionit të 46-të të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026. Panairin, i cili do të zgjasë deri më 25 janar, e hapën mbreti spanjoll Felipe VI dhe mbretëresha Leticia. Në hapje morën pjesë edhe koordinatori për turizëm në Qeverinë e RM, Akan Mahmut, si dhe ambasadori maqedonas në Mbretërinë e Spanjës, Edmond Ademi.
Në këtë platformë globale më me ndikim për turizmin, e cila i lidh tregjet dhe destinacionet, me fokus të fortë në qëndrueshmëri, inovacion dhe digjitalizim, këtë vit marrin pjesë mbi 9.500 kompani nga 156 vende, me 155.000 profesionistë të akredituar dhe rreth 100.000 vizitorë nga publiku i gjerë, gjë që e konfirmon rolin udhëheqës të Panairit në sektorin global të turizmit.
Këtë vit Maqedonia merr pjesë në Panairin në Madrid me stendën e vet kombëtare, përmes së cilës nga 21 deri më 25 janar promovohet vendi si destinacion turistik autentik, me theks të veçantë në turizmin kulturor, eno-gastro turizmin dhe format e qëndrueshme të turizmit.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme ministri Llutkov realizoi takime me Shaika Al Novais, sekretare e përgjithshme për turizëm në OKB, si dhe me Fuad Naghijev, drejtor i Agjencisë Shtetërore për Turizëm të Azerbajxhanit. Në takime, ministri Llutkov informoi për rezultatet në turizëm gjatë viteve të kaluara, si dhe për planet për këtë vit.