Llutkov: Turizmi rural, prioritet i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit

Llutkov: Turizmi rural, prioritet i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit

Në prag të Panairit të Turizmit Rural, i cili do të mbahet më 31 janar dhe 1 shkurt në Qendrën “Javna Soba” në Shkup, ministri i kulturës dhe turizmit Zoran Ljutfkov iu drejtua sot konferencës për shtyp të organizuar me këtë rast.

 

Në fjalën e tij, ministri theksoi se turizmi rural do të jetë një nga prioritetet strategjike të Ministrisë, duke shtuar se ngjarje të tilla do të jenë gjithnjë e më të shpeshta gjatë vitit 2026, ndërsa edhe më intensive në vitet 2027 dhe 2028.

 

“Përmes projektit E-75, po punojmë aktivisht në zhvillimin e turizmit tranzit. Qëllimi ynë është që qëndrimi mesatar i turistëve përgjatë kësaj trase, i cili në vitin 2026 është rreth 24 orë, deri në vitin 2028 të arrijë të paktën 72 orë”, deklaroi Llutkov.

 

Për vitin 2026, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka parashikuar 36 milionë denarë për aktivitete programore, si dhe 150 milionë denarë shtesë për subvencione në turizëm. Siç theksoi ministri, këto mjete do të rriten çdo vit, duke pasur parasysh se çdo denar i investuar në turizëm sjell një kthim ekonomik katërfish.

 

Llutkov vuri në dukje se amvisëritë rurale dhe prodhuesit e vegjël përfaqësojnë motorin kryesor të zhvillimit ekonomik lokal dhe se pikërisht tek ata do të investohet në mënyrë të vazhdueshme dhe strategjike, veçanërisht pas bashkimit të resorëve të kulturës dhe turizmit.

 

Në Panair, gjatë fundjavës së ardhshme, do të marrin pjesë rreth 50 ekspozues nga e gjithë vendi, dhe ai realizohet në organizim të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, në partneritet me Ambasadën e Sllovenisë, Ambasadën e Zvicrës përmes programit IME, Institutin e Bujqësisë dhe Qendrën “Javna Soba”.

 

Ministri Llutkov shprehu mirënjohje ndaj të gjithë partnerëve dhe informoi se në Panair do të marrin pjesë edhe agjenci turistike për turizmin hyrës, me qëllim realizimin e takimeve direkte dhe mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve me amvisëritë rurale. Për vizitorët do të sigurohen edhe vauçerë me zbritje për të nxitur një pjesëmarrje më të madhe nga publiku vendas.

 

“Ftoj qytetarët të vijnë, të njohin vlerat autentike të Maqedonisë, të shijojnë delikatesat lokale dhe të përjetojnë bukuritë rurale të Maqedonisë”, tha ministri Llutkov në fund të konferencës për shtyp.

Accessibility Menu