“Sonte Struga sërish bëhet vendi ku fjala e tejkalon formën e saj letrare dhe merr fuqinë e një ngjarjeje shpirtërore”, porositi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, në hapjen solemne të edicionit të 65-të të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë.
Ai shtoi se ka qytete të njohura për ndërtimet e tyre, për historinë ose për pozitën e tyre gjeografike, por Struga gëzon një privilegj të veçantë. Ajo njihet për idenë. Për besimin se poezia përfaqëson formën më të lartë të komunikimit njerëzor. Për besimin se poezia hap horizonte që nuk përfshihen në hartat e botës dhe as nuk i nënshtrohen logjikës së pushtetit.
Në këtë kontekst, ministri theksoi se poezia ka qenë gjithmonë një nga mënyrat më të sigurta përmes së cilës njerëzimi bisedon me ndërgjegjen e vet.
“Në vargje ruhen frikërat dhe shpresat e epokave, kujtimet e popujve dhe kërkimi i përhershëm njerëzor për kuptim. Pikërisht prej këtu buron edhe vlera e saj e qëndrueshme: ajo nuk ofron të vërteta të gatshme, por zgjeron horizontin e të kuptuarit tonë për botën dhe për vetveten”, tha Ljutkov.
Për laureaten e sivjetme të “Kurorës së Artë”, poeten holandeze Aneke Brassinga, ministri theksoi se krijimtaria e saj hap horizonte të reja poetike.
“Ajo i përket atyre autorëve të rrallë që nga çasti i zakonshëm krijojnë ndjesinë e përjetësisë. Poezia e saj eksploron kufirin ndërmjet së dukshmes dhe së padukshmes, ndërmjet përditshmërisë dhe misterit që jeton pas saj. Në vargjet e saj, fjalët nuk e përshkruajnë botën; ato e vënë atë në pikëpyetje. Nuk ofrojnë përgjigje të gatshme, por hapin horizonte të reja të mendimit”, shtoi Ljutkov.
Në edicionin e 65-të të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, që mbahet nga 24 deri më 29 qershor nën moton “Aty ku jeton poezia”, marrin pjesë rreth 70 poetë, kritikë, përkthyes dhe veprimtarë letrarë nga vendi dhe jashtë tij, nga më shumë se 15 shtete të botës.
Përveç laureates së çmimit më të lartë të festivalit “Kurora e Artë”, poetes holandeze Aneke Brassinga, dhe fituesit të çmimit “Urat e Strugës”, poetit britanik Daniel Hinds, në festival marrin pjesë edhe poetë nga Maqedonia, Greqia, Turqia, Bullgaria, Australia, Shqipëria, Holanda, Italia dhe vende të tjera.