Llutkov: Dy vite reforma sistemore – kultura dhe turizmi u bënë sërish prioritet shtetëror

Llutkov: Dy vite reforma sistemore – kultura dhe turizmi u bënë sërish prioritet shtetëror

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, sot në një konferencë për media në Qeveri prezantoi rezultatet e punës gjatë dy viteve të fundit, duke theksuar se Ministria ka stabilizuar me sukses gjendjen në kulturë dhe turizëm, ka zbatuar reforma kyçe sistemore dhe ka realizuar investime të rëndësishme, me qëllim që këto dy fusha të bëhen sërish shtytës strategjikë të zhvillimit të shtetit.

 

Ai theksoi se gjatë kësaj periudhe fokusi ka qenë në vendosjen e një qasjeje sistemore, në vend të zgjidhjeve afatshkurtra, përmes planifikimit strategjik, reformave ligjore, stabilizimit financiar dhe investimeve kapitale.

 

Llutkov theksoi se pas marrjes së drejtimit të Ministrisë në vitin 2024, ishte trashëguar një borxh prej 273 milionë denarësh në bazë të pagave në institucionet kombëtare dhe lokale, si dhe një sistem institucional pa drejtime të qarta strategjike. Me ribalancin e parë të Buxhetit u siguruan mjete për shlyerjen e detyrimeve të trashëguara, 71 milionë denarë shtesë për aktivitetet programore dhe mbi 78 milionë denarë për projekte infrastrukturore në komuna.

 

Në fazën përfundimtare janë Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës, Strategjia Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore dhe Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit, ndërsa paralelisht po përgatiten ndryshime në disa ligje sistemore nga fusha e kulturës, trashëgimisë kulturore, veprimtarisë filmike dhe të drejtave të autorit.

 

Për herë të parë është vendosur modeli i buxhetit të deleguar në institucionet kombëtare, i cili këtë vit zbatohet në 28 institucione, duke mundësuar autonomi më të madhe, planifikim më të mirë dhe menaxhim më efikas të mjeteve publike.

 

Veçanërisht i rëndësishëm është rritja e mjeteve për Programin Vjetor në Kulturë nga 768 milionë denarë në vitin 2023 në 1 miliard e 71 milionë denarë në vitin 2026, që paraqet një rritje prej pothuajse 40 për qind. Njëkohësisht, të ardhurat vetanake të institucioneve kombëtare janë rritur me më shumë se 150 për qind krahasuar me vitin 2023.

 

Gjatë dy viteve të fundit janë realizuar 320 punësime të reja dhe 35 avancime në institucionet kombëtare, ndërsa për herë të parë është vendosur edhe konkurs i hapur për mobilitet, përmes të cilit punonjësit kulturorë maqedonas përmirësojnë aftësitë e tyre në akademi prestigjioze dhe institucione kulturore jashtë vendit.

 

Pas shtatë vitesh është realizuar sërish konkursi për industri kreative, përmes të cilit në dy vjet janë mbështetur 108 projekte, ndërsa ka filluar edhe hartëzimi kombëtar i industrive kreative si bazë për strategjinë e parë kombëtare në këtë fushë. Pas gati një dekade është rikthyer edhe blerja e veprave të artit figurativ, ku janë blerë 37 vepra të autorëve të rëndësishëm maqedonas në vlerë prej 6,6 milionë denarësh.

 

Në fushën e veprimtarisë filmike, buxheti i Agjencisë së Filmit është rritur nga 100 milionë denarë në vitin 2024 në 187 milionë denarë në vitin 2026, që paraqet një rritje prej 87 për qind. Me ndryshimet ligjore do të sigurohen edhe mjete shtesë nga lojërat e fatit për zhvillimin e prodhimit filmik vendor.

 

Ministri informoi se në pjesën e investimeve kapitale, mjetet janë rritur nga 230 milionë denarë në vitin 2023 në 485 milionë denarë në vitin 2026, që paraqet një rritje prej mbi 110 për qind. Aktualisht janë në realizim ose në fazën përfundimtare një sërë projektesh kapitale, ndër të cilat Teatri në Strumicë, rindërtimi i kinemasë “Partizan” në Manastir, hapësirat e reja të Orkestrës së Xhazit, rindërtimi i Teatrit Popullor Maqedonas dhe Sallës Universale, si dhe objekte të tjera kulturore në mbarë vendin.

 

Ministri informoi se është intensifikuar ndjeshëm edhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore përmes investimeve në lokalitete arkeologjike, restaurimit të monumenteve të kulturës, vazhdimit të projektit për ringjalljen e Universitetit të Shën Klimentit në Plaoshnik dhe krijimit të regjistrit kombëtar digjital të trashëgimisë kulturore.

 

Duke iu referuar bashkëpunimit ndërkombëtar, Llutkov theksoi se mjetet për këtë qëllim janë rritur me 40 për qind, gjë që mundësoi afirmim dhe prezantim më të fuqishëm ndërkombëtar të kulturës maqedonase. Institucionet kombëtare dhe artistët maqedonas morën pjesë me sukses në EXPO në Osaka, Bienalen e Venecias dhe në shumë skena e festivale prestigjioze në Evropë.

 

Në fushën e turizmit, buxheti është rritur nga 58 milionë denarë në vitin 2023 në 186 milionë denarë në vitin 2026, që paraqet një rritje prej më shumë se 200 për qind. Janë hapur tregje të reja në bashkëpunim me sektorin turistik, ndërsa në fazën përfundimtare është Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit me plan veprimi, e cila synon ta pozicionojë Maqedoninë si destinacion turistik konkurrues evropian.

 

Sipas Llutkovit, nga gjithsej 98 projekte dhe masa të parapara në Programin e Qeverisë në pjesën e kulturës, 73 janë realizuar ose janë në proces realizimi, që paraqet një shkallë përmbushjeje prej 72 për qind.

 

“Ky nuk është vetëm një raport për dy vite punë. Ky është dëshmi se me vizion, përgjegjësi dhe qasje sistemore vendosen themele të forta për institucione më të fuqishme, trashëgimi kulturore më të mbrojtur, turizëm më konkurrues dhe zhvillim të qëndrueshëm të kulturës”, porositi në fund të konferencës së sotme për media ministri Llutkov.

 

Accessibility Menu