“Konaku i vjetër në Manastirin e Leshokut do të përfundojë plotësisht deri në fund të qershorit, me çka ky kompleks i rëndësishëm shpirtëror do të marrë një pamje të rinovuar dhe dinjitoze”, theksoi ministri gjatë vizitës së sotme pune në manastirin e Leshokut. Për këtë qëllim, Ministria e Kulturës ka ndarë 6 milionë denarë.
Gjatë vizitës, ministri shoqërohej nga mitropoliti i eparkisë Tetovë-Gostivar, peshkopi Josif, drejtori i Qendrës Kombëtare të Konservimit, Aleksandar Jordanoski, si dhe një ekip profesional nga institucioni.
Ministri informoi se projekti për konservim, restaurim, sanim dhe revitalizim të konakut të vjetër është në fazën përfundimtare, për të cilin janë ndarë 6 milionë denarë. Punimet ndërtimore, që përfshijnë punë murature dhe druri, po zhvillohen sipas dinamikës së parashikuar.
Sa i përket projektit për konservim dhe restaurim të kishës “Shën Mëria”, ku është zbuluar një pikturë murale e rëndësishme me tre shtresa nga shekulli XIV, XVII dhe XIX, u theksua se aktivitetet janë pezulluar përkohësisht për shkak të nevojës për analiza shtesë profesionale dhe masa mbrojtëse. Punimet do të vazhdojnë pas vlerësimeve të kryera, me qëllim ruajtjen e plotë të këtij trashëgimie kulturore jashtëzakonisht të vlefshme.
Me këto aktivitete edhe një herë konfirmohet angazhimi për mbrojtjen, rinovimin dhe revitalizimin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore si një segment i rëndësishëm i identitetit kombëtar.