Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, i cili ndodhet për vizitë dyditore pune në Republikën e Turqisë, dje në Ankara zhvilloi takim bilateral me homologun e tij turk, ministrin e Kulturës dhe Turizmit Mehmet Nuri Ersoj.
Në takim, ku morën pjesë edhe koordinatori nacional për turizmin Akan Mahmut dhe ambasadori Jovan Manasievski, të dy ministrat konfirmuan lidhjet tradicionale të mira kulturore mes dy vendeve, si dhe angazhimin e përbashkët për avancimin e tyre të mëtejshëm, veçanërisht në drejtim të një rajoni stabil dhe prosperues.
Llutkov dhe Ersoj theksuan gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe turizmit përmes realizimit të projekteve të përbashkëta, duke përfshirë digjitalizimin e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e industrive kreative, bashkëproduksionet, si dhe përmirësimin e turizmit kulturor.
Ministrat diskutuan për hapa konkretë për rritjen e numrit të turistëve turq në Maqedoni, si dhe për mundësitë e tërheqjes së investitorëve nga Turqia për zhvillimin e infrastrukturës turistike.
Bashkëbiseduesit u dakorduan që në periudhën e ardhshme të punojnë në projekte të përbashkëta konkrete, me qëllim forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe partneritetit mes dy vendeve.
Në fund të takimit, Llutkov i drejtoi ftesë të hapur kolegut të tij, ministrit Ersoj, që së shpejti të vizitojë Maqedoninë.