Poetja holandeze Anneke Brassinga është shpallur fituese e çmimit “Kurora e Artë” në Mbrëmjet e Poezisë në Strugë për vitin 2026. Vendimi për laureaten e sivjetshme u shpall sot në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (MANU), ku u prezantuan biografia, krijimtaria dhe bibliografia e Brassinga-s.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, i pranishëm në ngjarje, theksoi se me dhënien e “Kurorës së Artë” për Anneke Brassinga forcohet një lidhje e rëndësishme kulturore mes Maqedonisë dhe Holandës – lidhje që ndërtohet përmes letërsisë, përkthimit dhe kureshtjes së ndërsjellë të dy kulturave që takohen në hapësirën e poezisë.
“Ekzistojnë momente kur fjalët nuk mjaftojnë për të mbledhur atë forcë të heshtur me të cilën një autor, përmes veprës së tij, arrin ta zhvendosë botën më larg nga prozaikja dhe më afër thelbësores. Sot nuk shpallim vetëm një laureat. Shpallim një dëshmi. Një provë se poezia është akt i lartë i guximit krijues dhe se Mbrëmjet e Poezisë në Strugë këtë vit kanë një zë poetik që do të kumbojë me bukuri të plotë krijuese para botës.”
Ai shtoi se biografia e Brassinga-s është e veçantë: ajo debuton me poezi, vazhdon me eseistikë, hyn në prozë, e më pas bëhet përkthyese – jo vetëm e teksteve, por edhe e botëve. Poezia e saj është hapësira ku gjuha ndalet dhe fillon diçka tjetër, diçka për të cilën fjala “strofë” është shumë e vogël. Brassinga shkruan me një durim të rrallë, thuajse të ndaluar në epokën tonë nervoze, duke ditur se fjala e vërtetë nuk vjen e para, se duhet pritur, se heshtja është po aq e rëndësishme sa fjala.
Llutkov theksoi se poezia e saj ka aftësinë e rrallë ta bëjë të voglën të madhe dhe të madhën të afërt e njerëzore. Një fjalë e vetme, e vendosur me masë të saktë dhe heshtje rreth saj, mund të ndryshojë jo vetëm një fjali, por edhe mënyrën se si lexuesi e përjeton botën. Në të njëjtën kohë, vepra e saj është një urë mes gjuhëve, kulturave dhe traditave poetike evropiane.
“Ky çmim nuk është vetëm nderim për një krijimtari të jashtëzakonshme, por edhe një mundësi e re për thellimin e dialogut kulturor mes dy vendeve tona. Hap dyer për përkthime të reja, takime letrare, projekte kulturore dhe një perspektivë më të gjerë kulturore-turistike,” tha ministri.
Ai iu drejtua drejtpërdrejt Brassinga-s: “Mirë se erdhët në familjen e laureatëve të ‘Kurorës së Artë’. Ky nder është i juaji, por bukuria e momentit është e përbashkët. Sepse poezia, edhe kur shkruhet në vetmi, kurrë nuk është vetëm për një. Ajo është për të gjithë ne, për ata që vijnë pas nesh, madje edhe për ata që ende nuk e dinë sa u nevojitet. Ju falënderojmë që na kujtoni se heshtja mund të jetë plot kuptim, e fjala – plot përjetësi.”
Në ngjarje u lexua edhe mesazhi i Brassinga-s drejtuar festivalit: “Është një nder i madh dhe një surprizë e madhe për mua që Bordi i Mbrëmjeve të Poezisë në Strugë më ka dhënë ‘Kurorën e Artë’ për vitin 2026. Jam thellësisht e prekur nga ky vlerësim i lartë, aq më tepër që jam poetja e parë holandeze që e merr këtë çmim. Ndihem sikur me këtë kurorë është nderuar e gjithë poezia holandeze – e së kaluarës dhe e së tashmes.”
Ajo shprehu mirënjohje për mundësinë që të marrë pjesë në festivalin e njohur ndërkombëtar dhe shtoi se shpreson ta mbajë “Kurorën e Artë” me dinjitet.
Arsyetimin për vendimin që çmimi t’i jepet Brassinga-s e prezantoi drejtori i përkohshëm i Mbrëmjeve të Poezisë në Strugë, Nikola Kukunesh.