Maqedonia dhe TURKSOJ nënshkruan Memorandum për forcimin e bashkëpunimit kulturor

Maqedonia dhe TURKSOJ nënshkruan Memorandum për forcimin e bashkëpunimit kulturor

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, dhe sekretari i përgjithshëm i TURKSOJ-it, Sulltan Raev, sot në ceremoni solemne në Ankara nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Organizatës Ndërkombëtare për Kulturën Turke – TURKSOJ.

 

Në fjalën e tij, ministri Llutkov theksoi se kultura e një shteti në shumë aspekte varet nga respektimi dhe afirmimi i dallimeve kulturore që ekzistojnë në hapësirën e tij.

 

“Avancimi i veçorive kulturore të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Maqedoni është prioriteti ynë, sepse të gjithë së bashku kontribuojmë në thesarin e pasur kulturor me të cilin vendi ynë dallohet në mozaikun kulturor evropian”, tha Llutkov.

 

Ai shtoi se ky memorandum shënon një fazë të re në bashkëpunimin kulturor mes Maqedonisë dhe vendeve anëtare të TURKSOJ-it, zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushat e kulturës, artit, letërsisë, arteve skenike, veprimtarisë muzeale dhe bibliotekare, shkëmbimin e artistëve dhe ansambleve, si dhe afrimin e popujve, promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Sekretari i përgjithshëm Raev tha se Memorandumi i nënshkruar nuk përfaqëson vetëm një dokument për bashkëpunim institucional, por edhe një hap të rëndësishëm drejt forcimit të afërsisë kulturore mes popujve, mbështetjes së ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe nxitjes së krijimtarisë artistike.

 

Ai shtoi se komuniteti turk në Maqedoni, me trashëgiminë e tij të pasur historike dhe kulturore, është pjesë e pandashme e botës turke dhe përfaqëson një urë mes kulturave të ndryshme.

 

Me nënshkrimin e Memorandumit, hapen mundësi të reja për promovimin e trashëgimisë së pasur kulturore dhe artistike të Maqedonisë në vendet anëtare të TURKSOJ-it — Turqi, Azerbajxhan, Kazakistan, Kirgistan, Uzbekistan dhe Turkmenistan, si dhe për avancimin e bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar dhe turizmit.

 

Accessibility Menu