Llutkov: Mbi 11 milionë denarë për revitalizimin e trashëgimisë kulturore në Ohër

Llutkov: Mbi 11 milionë denarë për revitalizimin e trashëgimisë kulturore në Ohër

Ministri i kulturës dhe turizmit Zoran Llutkov sot, në kuadër të vizitës së punës në Ohër, së bashku me drejtorin e Entit dhe Muzeut – Ohër, Goran Patçev, kreu inspektim në gjendjen e Kalasë së Samuilit dhe prezantoi aktivitetet që do të realizohen me qëllim mbrojtjen dhe revitalizimin e trashëgimisë kulturore.

 

Ministri theksoi se mbrojtja, promovimi dhe prezantimi i Ohrit dhe i tërësisë monumentale të Ohrit, e cila është pjesë e trashëgimisë botërore kulturore dhe natyrore, përbën prioritet të lartë për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.

 

„Ndodhemi në Kalanë e Samuilit – një nga simbolet më të rëndësishme të historisë, kulturës dhe identitetit të Ohrit. Përkushtimi ynë është që këtë pasuri kulturore ta ruajmë, por edhe t’i japim një përmbajtje të re bashkëkohore kulturore“, theksoi ministri.

 

Ai shtoi se në vitin kur Enti dhe Muzeu – Ohër shënon 75 vjet nga themelimi, në programin vjetor për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të paluajtshme janë ndarë 11.520.000 denarë për realizimin e projekteve të rëndësishme. Mjetet janë të dedikuara për revitalizimin e Kalasë së Samuilit, që përfshin hulumtime të mëtejshme arkeologjike, vendosjen e ndriçimit dhe rregullimin e hapësirës me skenë verore. Me këtë do të mundësohet rikthimi i shfaqjeve teatrore, koncerteve dhe ngjarjeve të tjera kulturore, duke i dhënë kalasë edhe një funksion të qëndrueshëm kulturor.

 

Përveç kësaj, do të realizohen edhe ndërhyrje mbrojtëse dhe kërkime arkeologjike në lokalitetin Mançevci, ku ndodhet një bazilikë e hershme kristiane me sipërfaqe të vlefshme mozaiku. Për shkak të dëmtimeve të konstatuara, janë paraparë aktivitete për hulumtime shtesë, ndërtimin e një muri mbajtës dhe rregullimin përkatës infrastrukturor, me qëllim krijimin e kushteve për prezantimin dhe promovimin e tij.

 

Llutkov theksoi se Ministria e Kulturës dhe Turizmit mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj kujdesit sistematik për trashëgiminë kulturore, si një burim i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kulturor dhe afirmimin e shtetit në nivel ndërkombëtar.

 

 

Accessibility Menu