Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, sot u drejtuan në panelin e parë të diskutimit në konferencën “E-75 – Bazë për zhvillimin e turizmit kreativ dhe qëndrueshmërinë e tij”. Konferenca është pjesë e festivalit për zhvillimin e ekonomive kreative “Java e Dizajnit – Shkup 2025”, i cili ka për qëllim të nxisë ide të reja dhe zgjidhje të qëndrueshme në fushën e turizmit dhe industrive kreative.
Në fjalën e tij, ministri Llutkov theksoi se autostrada E-75 nuk është vetëm një projekt infrastrukturor që lidh veriun me jugun e vendit, por edhe një simbol i mundësive për zhvillim, bashkëpunim dhe partneritete të reja. “Çdo kilometër i këtij rrugëtimi sjell potencial për një histori të re – për zhvillim lokal, shkëmbim kulturor dhe ofertë turistike që e paraqet vendin tonë në mënyrë autentike. Çdo vend i vogël, çdo zanat lokal apo restorant që ndan traditën e vet është pjesë e një mozaiku më të madh që mund të shndërrohet në vlerë turistike të dallueshme”, theksoi Llutkov.
Ai shtoi se turizmi kreativ nuk nënkupton vetëm vizitën e muzeve apo lokaliteteve arkeologjike – ai nënkupton pjesëmarrje, ndërveprim dhe ndarje të kulturës e traditës. Prandaj, kur transporti dhe turizmi bashkohen, krijohet një energji e qëndrueshme që e çon përpara të gjithë rajonin. “Transporti sjell ekonominë, por turizmi sjell shpirtin e një vendi. Kur këto dy forca bashkohen, atëherë krijohet energjia që e çon përpara të gjithë rajonin”, theksoi Llutkov.
Ndërsa ministri Aleksandar Nikolloski theksoi se Qeveria tashmë po punon në projekte konkrete infrastrukturore dhe zhvillimore që do të mbështesin turizmin dhe ekonominë përgjatë Korridorit 10 (E-75). “Jemi në përgatitje për ndërtimin e një hekurudhe të shpejtë nga Shkupi deri në Selanik. Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë u miratua vendimi për zgjidhjen urbanistike të lokalitetit Stobi, ndërsa në Tikvesh po hapen bodrume të reja vere. Qëllimi ynë është të lehtësojmë ndërtimin e hoteleve të reja dhe të mbajmë turistët që tranzitojnë nëpër Korridorin 10”, deklaroi ministri Nikolloski.
Ai potencoi se përmes një qasjeje të përbashkët të resorëve të transportit dhe turizmit, E-75 mund të bëhet korridor mundësish, një vend ku infrastruktura dhe turizmi plotësojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë vlera të reja për zhvillimin lokal.