Me një ceremoni solemne mbrëmë në Kinotekën e Maqedonisë u shënua jubileu i madh – 50 vjet nga ekzistenca e institucionit që përfaqëson një nga shtyllat e kujtesës kulturore kombëtare. Ngjarja mblodhi artistë, arkivistë, punonjës të kulturës dhe mysafirë të shumtë, të cilët së bashku i bënë nderim përkushtimit pesëdekadësh për ruajtjen e trashëgimisë filmike.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, ministri i kulturës dhe turizmit Zoran Llutkov theksoi se “filmi është forma më e butë dhe më e fuqishme e kujtesës”, duke nënvizuar se Kinoteka është “ruajtëse e kohës, arkiv i identitetit dhe mbrojtje e heshtur, por e palëkundur kundër harresës”.
Sipas tij, jubileu nuk është vetëm një rast për shënim, por edhe një konfirmim i vlerës së vazhdueshme që institucioni krijon ndër breza.
“Pesëdhjetë vjet janë dëshmi e besimit të qëndrueshëm në thelbin e kulturës si themel mbi të cilin ndërtohet shoqëria, si vlerë që krijon kuptim, vazhdimësi dhe të ardhme. Se imazhi që ruajmë sot, nesër do të jetë dëshmi se kemi ekzistuar, kemi menduar, kemi ndjerë. Se kemi pasur çfarë të themi. Në këto hapësira nuk ruhen vetëm shirita filmikë, këtu ruhen fate njerëzore. Këtu janë ruajtur shikimet e brezave të kthyer nga e ardhmja me dyshim dhe shpresë. Këtu janë zërat që përjetësisht rrëfejnë historitë për ne vetë”, tha Llutkov.
Ministri shprehu falënderim për të gjithë të punësuarit, arkivistët, kuratorët dhe personelin teknik, puna e heshtur por jashtëzakonisht e rëndësishme e të cilëve mundëson që regjistrimet filmike të vazhdojnë të dëshmojnë për frymën e kohës.
“Ju nuk ruani vetëm materiale, por ruani kuptim, dhe heshtja juaj flet më fort se gjithçka. Prandaj, kjo përvjetor nuk është vetëm një rast për urim. Ai është një thirrje – thirrje për të vazhduar, për të investuar, për të krijuar dhe për të mos lejuar që kujtesa kulturore të bëhet një arkiv i heshtur pa zë, por një organizëm i gjallë që merr frymë me kohën e vet”, theksoi ai.
Në fjalimin e tij, Llutkov theksoi se Ministria e Kulturës dhe Turizmit edhe në të ardhmen do të vazhdojë me mbështetje të fortë për Kinotekën, me qëllim modernizimin, digjitalizimin dhe rritjen e qasjes për publikun, në mënyrë që, siç tha ai, “ajo të jetë shtëpia e së vërtetës së shkruar në imazh”.
Ministri Llutkov e përmbylli fjalimin duke theksuar se Kinoteka nuk është vetëm një vend ku ruhen filmat, por një hapësirë ku ruhet identiteti për të kuptuar të kaluarën dhe për të formësuar të ardhmen.