Grupi i punës për hartimin e Strategjisë Kombëtare për gjuhën maqedonase me Plan Veprimi për periudhën 2027–2031 mbajti mbledhjen e tij, me ç’rast zyrtarisht filloi procesi i përgatitjes së këtij dokumenti të rëndësishëm strategjik.
Grupi i punës është formuar me Vendim të ministrit të kulturës dhe turizmit, Zoran Llutkov, ndërsa për koordinatore është caktuar prof. dr. Simona Gruevska Maxhoska nga Instituti për gjuhën maqedonase “Kërste Misirkov” dhe kryetare e Këshillit për gjuhën maqedonase.
Në përbërjen e tij janë përfshirë akademikë të shquar, profesorë universitarë dhe studiues shkencorë, si dhe përfaqësues nga institucione shtetërore relevante, organe dhe agjenci. Në proces marrin pjesë aktivisht edhe institucione të arsimit të lartë dhe shkencës, shoqata dhe ekspertë nga fusha e gjuhës maqedonase, në kuadër të kompetencave të tyre ligjore.
Detyra e Grupit të punës është të përgatisë një draft-tekst gjithëpërfshirës të Strategjisë, të shoqëruar me një Plan Veprimi të strukturuar qartë me aktivitete konkrete, bartës, afate kohore, projeksione financiare dhe indikatorë për ndjekje dhe vlerësim.
Me Strategjinë Kombëtare do të përcaktohen objektivat dhe prioritetet afatmesme për zbatimin e qëndrueshëm, mbrojtjen, avancimin dhe pasurimin e gjuhës standarde maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik, si vlerë themelore e identitetit kombëtar dhe kulturor.