Në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, këshilltari shtetëror për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale dhe materiale, Afet Jashari, zhvilloi takim me profesorin Luben Tevdovski, drejtor i Simpoziumit Ndërkombëtar Shkencor për Arkeologjinë Teorike Mesdhetare „Lihnida“, dhe arkeologun dhe profesorin spanjoll Felipe Criado Boado, një nga ekspertët kryesorë evropianë në fushën e arkeologjisë, themelues dhe për shumë vite kryetar i Institutit Spanjoll për Trashëgiminë Kulturore, si dhe ish-kryetar i Shoqatës Evropiane të Arkeologëve.
Në fokus të takimit ishin përgatitjet për edicionin e dytë të simpoziumit „Lihnida“, i cili nga 18 deri më 20 shtator në Ohër do të mbledhë arkeologë, profesorë dhe studiues të shquar nga universitete dhe institucione prestigjioze shkencore botërore, ndër të cilat Sapienza, Leiden, University College London, „Max Planck“, si dhe përfaqësues të akademive evropiane dhe UNESCO-s.
Organizatorë të simpoziumit janë Instituti i Historisë dhe Arkeologjisë pranë Universitetit „Goce Dellçev“, Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Institucioni Kombëtar „Instituti dhe Muzeu“ – Ohër, në bashkëpunim me disa partnerë vendas dhe ndërkombëtarë.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit e njeh rëndësinë e tubimeve të tilla shkencore për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e njohurive dhe qasjeve bashkëkohore në hulumtimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe jep mbështetje për realizimin e tyre.
Simpoziumi i sivjetshëm „Lihnida“, me temë „Arkeologjia mesdhetare midis perandorive dhe imperializmit“, do të mbahet nga 18 deri më 20 shtator në Ohër, në Galerinë e Ikonave të Ohrit, ndërsa sesionet shkencore do të zhvillohen në Shtëpinë e familjes Robevë, Shtëpinë e familjes Uzunov dhe Shtëpinë Përkujtimore të Prliçevit.