Në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup, të shtunën (17.10.2026), do të mbahet aktiviteti “MAB – Udhërrëfyes dhe matine”, me kuratoren Bojana Janeva. Ajo do t'i shoqërojë të pranishmit në vizitë nëpër tri ekspozitat e hapura në Muzeun e Artit Bashkëkohor, ndërsa aktiviteti do të shoqërohet me përzgjedhje muzikore nga Darko Markovski.
Vizita do të përfshijë ekspozitat: “Blagoja Manevski: 40 vjet krijimtari”, “Pikaso – Piktura e Muzeut” dhe “Solidariteti si e ardhme”.
Ekspozita retrospektive e Bllagoja Manevskit pasqyron rrugëtimin e tij krijues nga viti 1985 deri në vitin 2025. Kuratore të ekspozitës janë Liljana Nedellkovska dhe Natali Rajçinovska-Pavleska, ndërsa koordinator i projektit është Blagoja Varoshanec.
Ekspozita “Pikaso – Piktura e Muzeut” paraqet përzgjedhje nga koleksioni i Muzeut të Artit Bashkëkohor. Në fokus të saj është vepra “Koka e gruas” e vitit 1963, nga Pablo Pikaso, e cila me kalimin e kohës është shndërruar në një nga simbolet vizuale më të njohura të Muzeut. Kuratorë të ekspozitës janë Bllagoja Varoshanec, Vlladimir Jançevski dhe Iva Dimovski.
Ekspozita e tretë, “Solidariteti si e ardhme”, bashkon vepra të rëndësishme nga koleksioni i përhershëm i Muzeut të Artit Bashkëkohor – Shkup, të krijuara nga artistë francezë, maqedonas dhe artistë të tjerë evropianë. Ndër autorët e përfaqësuar janë Pjer Sulazh, Viktor Vazareli dhe Nikola Martinoski. Kuratorë të ekspozitës janë Blagoja Varoshanec, Vladimir Jançevski dhe Iva Dimovski.