Nën moton “Në dritën e parë”, sonte në kinotekën “Frosina”, në Qendrën Kulturore Rinore (MKC) në Shkup, do të fillojë edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Kinenova”. Festivali do të hapet solemnisht me filmin e ri të Miroslav Terziqit, “Tri javë më vonë”.
Programi kryesor i edicionit të 11-të të Festivalit “Kinenova” këtë vit sjell gjashtë vepra të jashtëzakonshme të kinematografisë botërore, të cilat, sipas organizatorëve, do të nxisin për një kohë të gjatë diskutime dhe pyetje lidhur me historitë dhe temat veçanërisht aktuale që trajtojnë.
Laureat i këtij viti është skenaristi dhe regjisori turk Emin Alper, i cili është edhe kryetar i jurisë, së bashku me Aleksandra Maksimoviq nga Kroacia dhe regjisorin maqedonas Goce Cvetanovski.
Në konkurrencën kryesore marrin pjesë gjashtë filma, ndërsa në përzgjedhjen për debutuesit janë përfshirë katër filma të parë të shkurtër të regjisorëve maqedonas. Në kuadër të festivalit do të mbahen edhe punëtori më 5, 6 dhe 7 tetor, nën mentorimin e regjisores Marija Xhixheva.
Festivali “Kinenova” mbështetet nga Agjencia e Filmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komuna e Kisella Vodës.