Në interes të së vërtetës dhe me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, reagojmë me ashpërsinë më të madhe dhe i hedhim poshtë si të pasakta dhe tendencioze pretendimet e publikuara në kumtesën e sotme të SKRM-së.
Së pari, është e pasaktë pretendimi se Ministria për më shumë se një vit nuk është ulur në tryezën e negociatave me përfaqësuesit e sindikatave. Kujtojmë se pikërisht një vit më parë, me vendim, iniciuam formimin e një grupi pune në të cilin u përfshinë përfaqësues të dy sindikatave përfaqësuese, SKRM dhe SASHK, pikërisht për çështjet që lidhen me Kontratën Kolektive për Kulturën. Grupi i punës mbajti dy takime, pas të cilave nga ana e sindikatave u refuzuan bisedimet e mëtejshme. Për takimet e mbajtura ekzistojnë procesverbale me të dhëna për çështjet e paraqitura dhe pjesëmarrësit. Në këtë kontekst, theksojmë sërish se Ministria e Kulturës dhe Turizmit gjithmonë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë partner social që do të iniciojë dialog, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të kulturës.
Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Kontratës Kolektive për Kulturën, theksojmë se Ministria e Kulturës dhe Turizmit menjëherë inicioi takim me përfaqësuesit e sindikatave. Në takimin e mbajtur më 15 prill të këtij viti, në të cilin përveç ministrit Zoran Llutkov dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit morën pjesë edhe përfaqësues të të dy sindikatave, kryetarët e organizatave sindikale si dhe avokati i tyre, u diskutua për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar. Takimi me Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt në muajin maj, pasi tashmë kishin filluar takimet ndërmjet palëve të interesuara, gjë që bie ndesh me pretendimet e SKRM-së se më parë nuk ka pasur negociata.
Në pritje të publikimit zyrtar të Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin për Kontratën Kolektive, me iniciativë të Ministrisë u mbajt edhe një takim tjetër në fund të muajit.
Menjëherë pas publikimit të Aktvendimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i njëjti nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit iu dërgua zyrtarisht sindikatave përmes postës elektronike për njohje dhe u caktua një takim i ri. Në këtë takim, më 12 qershor, u diskutua për konstatimet dhe arsyetimet e përfshira në Aktvendim, si dhe për drejtimet e ardhshme të veprimit të dhëna nga gjykata. Takimi përfundoi me pajtimin e të dy palëve që të mbahet një takim i ri pas konsultimit të sindikatave me anëtarësinë e tyre, në të cilin ato do të paraqesin propozimet e veta. Takimi tashmë është caktuar për më 2 korrik.
Prandaj, është krejtësisht e pabazë të ndërtohet narrativi se Ministria e Kulturës dhe Turizmit nuk negocion. Këtë e dëshmojnë faktet, përkundër pretendimeve të paraqitura në rrjetet sociale, të cilat janë të pavërteta dhe të nxjerra jashtë kontekstit. Gjithashtu theksojmë se takimet nuk mbahen vetëm për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe për faktin se Kontrata Kolektive për Kulturën ka më shumë se katër vjet që i ka skaduar vlefshmëria. Për këto arsye, është e nevojshme që përmes dialogut social, dhe jo përmes imponimit të qëndrimeve të paracaktuara, të gjendet një zgjidhje e re e qëndrueshme ligjërisht, përkatësisht një kontratë e re kolektive.
Ministria i hedh poshtë kategorikisht edhe pretendimet se synon shfuqizimin e Kontratës Kolektive ose se ushtron çfarëdo ndikimi mbi procedurën para Gjykatës Kushtetuese. Ministria nuk është parashtruese e iniciativës, nuk ka kompetencë ligjore për të shfuqizuar kontrata kolektive dhe nuk ndërhyn në punën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ne e respektojmë pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe do të respektojmë çdo vendim përfundimtar të marrë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. E njëjta vlen edhe për procedurën që SKRM po zhvillon para Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Ministria e Kulturës dhe Turizmit është e gatshme që edhe në lidhje me atë procedurë t’u përgjigjet të gjitha kërkesave dhe është maksimalisht e hapur për bashkëpunim.
Ministria është partner i fuqishëm dhe konstruktiv në negocimin kolektiv dhe në mbrojtjen e të drejtave të punës së punonjësve të kulturës. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj dialogut konstruktiv, respektimit të procedurave ligjore dhe gjetjes së një zgjidhjeje në interes të të gjithë të punësuarve në kulturë. Njëkohësisht, është e pakuptueshme nevoja që pas konferencës së sotme për shtyp të ministrit të Kulturës dhe Turizmit të bëhen përpjekje për të vënë në pikëpyetje suksesin e rezultateve të punës së Ministrisë gjatë dy viteve të fundit.
Në këtë kontekst, presim që komunikimi publik të bazohet në fakte dhe jo në spekulime apo kualifikime politike, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të kontribuohet në një proces negociues të suksesshëm dhe të përgjegjshëm.