Pas prezantimit të “Hapësira të bashkimit” në qendrat kulturore-informative të RM-së në Sofje, Beograd dhe Stamboll, projekti i Galerisë Kombëtare nga fusha e bashkëpunimit ndërkombëtar, destinacionin e fundit e ka Qendrën Kulturore-Informative Maqedonase në Zagreb, Republika e Kroacisë. Drejtoresha e Qendrës, Mimi Gjorgoska-Ilievska, dhe drejtori i Galerisë Kombëtare, Ali Sinani, do të flasin në hapje, do ta fusin publikun në kontekstin e projektit dhe do t’i prezantojnë autorët e kompilacionit artistik me titull “Hapësira të bashkimit – Kartografia e fragmentit: Narrativa, kufij, kujtesë”.
Pjesëmarrës në ekspozitë janë: Robert Jankulloski, Velimir Zhernovski, Monika Moteska, Shqipe Mehmeti, Irena Paskali, Mihaela Jovanovska, Gjorgje Jovanoviq, Aco Stankoski, Ivanço Talevski, Zhaneta Vangeli dhe Marija Sotirovska.
Hapja e ekspozitës në Qendrën Maqedonase në Zagreb është caktuar për 16 dhjetor 2025 në orën 19:00, dhe do të qëndrojë e hapur deri në fund të vitit.
Projekti “Hapësira të bashkimit” e përcakton artin si një hapësirë dinamike ku fragmentet intime, personale, ndërthuren me kujtesat kolektive dhe matricat kulturore si një teatër tensioni dhe simbioze. Kjo ekspozitë eksploron kufirin e brishtë mes tregimeve të vogla nga bota intime e individit dhe narrativave të mëdha – një rrjet i gjerë e kompleks i narrativave historike dhe kulturore – koncept që rrjedh nga Jean-François Lyotard dhe kritika e tij ndaj “metanarrativave”.
Përmes grafikës, vizatimit, fotografisë, videos, objektit, kolazhit, artistët jo vetëm që tregojnë histori, por ndërtojnë platforma multimediale ku çdo medium bëhet kanal i veçantë për bashkim. Teknikat e ndryshme nuk funksionojnë vetëm si zgjedhje formale, por si strategji aktive për të kapërcyer personalen dhe kolektiven.
“Hapësira të bashkimit” është një rrjet multimedial shumë-shtresor që insiston në shikuesin aktiv dhe bashkëautorësinë. Çdo vizitor që hyn në këto hapësira, hyn në marrëdhënie me fragmentet – gjurmët e copëtuara të intimes, të arkivuara në materiale që vazhdimisht përpiqen të bashkohen në një tërësi të re.