Muzeu i Shkencave Natyrore i Maqedonisë së Veriut më 26 tetor shënon jubile të rëndësishëm – 100 vjet ekzistencë, përkushtim shkencor dhe hulumtim të pasurive natyrore të vendit. Me rastin e 100 vjetorit, në Teatrin Kombëtar Maqedonas do të mbahet akademi solemne kushtuar një shekulli veprimtarie të institucionit, i cili ndër dekada është shndërruar në ruajtës të rëndësishëm të trashëgimisë natyrore dhe dëshmitar të paçmuar të saj për brezat e ardhshëm.
Në akademinë solemne do t’u ndahen plaketa bashkëpunëtorëve, institucioneve dhe kompanive që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e Muzeut, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në avancimin e punës së tij dhe afirmimin e trashëgimisë natyrore.
Me rreth 400.000 ekzemplarë muzeorë, Muzeu ruan dëshmi të çmuara për të kaluarën gjeologjike, botën bimore e shtazore dhe biodiversitetin e vendit.I themeluar në vitin 1926, Muzeu bashkon koleksionet nga fusha e gjeologjisë, paleontologjisë, botanikës, zoologjisë dhe entomologjisë. Pas krijimit, pasurimit dhe studimit të tyre shkencor qëndron përkushtimi i brezave të shkencëtarëve, kustosëve, preparatorëve dhe hulumtuesve, të cilët kanë kontribuar në dokumentimin dhe ruajtjen e dëshmive të çmuara për natyrën.
Vend të rëndësishëm në punën e Muzeut zë edhe veprimtaria edukative, përmes së cilës të rinjtë njihen më nga afër me shkencat natyrore, nxiten kureshtja dhe fryma hulumtuese, si dhe zhvillohet ndërgjegjësimi për nevojën e mbrojtjes së natyrës.Jubileu i njëqindvjetorit është edhe mundësi për hap të ri në zhvillimin e institucionit. Ministria e Kulturës dhe Turizmit vazhdon të angazhohet për përmirësimin e kushteve të punës dhe modernizimin e përvojës muzeore. Në këtë drejtim, këtë vit Muzeut i është ndarë buxhet i deleguar, me qëllim përmirësimin e funksionimit të tij dhe krijimin e kushteve që koleksionet e pasura dhe njohuritë shkencore që ruan të prezantohen në mënyrë bashkëkohore, të qasshme dhe tërheqëse, veçanërisht për brezat e rinj.
Me një shekull përkushtim ndaj shkencës, hulumtimit dhe arsimit, Muzeu i Shkencave Natyrore i Maqedonisë mbetet ruajtës i rëndësishëm i trashëgimisë natyrore të vendit dhe institucion që kontribuon në njohjen, vlerësimin dhe ruajtjen e saj për brezat e ardhshëm.