Institucioni Nacional Galeria Kombëtare e RMV Shkup ka nënshkruar memorandum për bashkëpunim kulturor me Muzeun e Artit Bashkëkohor nga Beogradi (Republika e Serbisë).
Memorandumi për bashkëpunim kulturor është nënshkruar në kohë të papërcaktuar mes Marijana Kolariq, drejtoreshë e Muzeut të Artit Bashkëkohor të Republikës së Serbisë dhe Ali Sinani, drejtor i Galerisë Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Objekti i këtij Memorandumi është mbështetja dhe bashkëpunimi i ndërsjellë mes Muzeut të Artit Bashkëkohor nga Beogradi dhe Galerisë Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim mbrojtjen dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore të artit bashkëkohor, ndërtimin e kapaciteteve dhe edukimin e personelit profesional nga të dy institucionet.
Bashkëpunimi përfshin realizimin e programeve individuale dhe të përbashkëta në përputhje me mundësitë e të dyja palëve, ndërsa do të negociohet për bashkëpunim rreth çdo aktiviteti veçmas.
Për herë të parë një institucion kombëtar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në këtë rast Galeria Kombëtare, nënshkruan memorandum për bashkëpunim kulturor të këtij tipi. Si rezultat i bashkëpunimit të vendosur, ju njoftojmë për ekspozitën personale të akademikut, profesor Zharko Basheski, e planifikuar për këtë vit pikërisht në hapësirat ekspozuese të Muzeut të Artit Bashkëkohor në Beograd. Në mënyrë reciproke, njoftojmë edhe për ekspozitën personale të artistit pamor nga Beogradi, Mrgjan Bajiq, e planifikuar për vitin 2027, në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë.