Një varrim i ri i pasur ushtarak, që daton nga shekulli VI para erës së re, është zbuluar në lokalitetin arkeologjik Rasnicë, pranë fshatit Koroshishtë të Strugës. Në varr janë gjetur mburojë, përkrenare, shtiza, shpatë, si dhe objekte të pasura të punuara prej ari, bronzi dhe qelibari.
Ky zbulim vjen pas gjetjeve monumentale të vitit 2024, kur kërkimet arkeologjike në këtë lokalitet tërhoqën vëmendjen e publikut me zbulimin e një kompleksi të pasur varror. Atëherë u gjetën një përkrenare bronzi me aplikime ari, një mburojë bronzi, objekte ari, rruaza qelibari dhe qelqi, gjilpëra argjendi dhe disa enë bronzi.
Rezultatet më të fundit e konfirmojnë më tej karakterin e Rasnicës si nekropol arkaik dhe hapin mundësi të reja për studimin e riteve të varrimit, strukturës ushtarake dhe shoqërore, si dhe elitave që kanë jetuar në Rajonin e Ohrit dhe Strugës gjatë shekullit VI para erës së re.
Hulumtimet zhvillohen nga Muzeu Kombëtar Arkeologjik në Shkup, në bashkëpunim me Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeun – Ohër, si dhe Administratën për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Në konferencën e sotme për shtyp, për rëndësinë e zbulimeve të reja folën kustosi këshilltar në Muzeun Kombëtar Arkeologjik, dr. Pero Axhanliev, drejtoresha e Muzeut Kombëtar Arkeologjik, Magdalena Manaskova, drejtoresha e Administratës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Vesela Çestoeva, drejtori i IN „Instituti dhe Muzeu“ – Ohër, Goran Patçev, si dhe drejtoresha e IN Muzeu „Dr. Nikolla Nezlobinski“ – Strugë, Cvetllana Vasilevska.
Sipas institucioneve kompetente, gjetjet e reja paraqesin një kontribut të rëndësishëm për studimin e periudhës arkaike në Maqedoni. Me vazhdimin e hulumtimeve, Rasnica gjithnjë e më shumë po veçohet si një nga komplekset e rëndësishme arkeologjike të kësaj periudhe në vend.