Më 3 nëntor 2025, drejtori i Qendrës Kombëtare për Konservim – Shkup, z. Aleksandar Jordanoski, znj. Cvetanka Haxhi Pecova, inxhiniere arkitekte dhe udhëheqëse sektori, si dhe bashkëpunëtori i jashtëm profesional Risto Petkovski, konservator këshilltar, realizuan një vizitë pune në kompleksin e manastirit “Shën Atanasie” në Leshok, Komuna Tearcë – një trashëgimi kulturore e rëndësishme dhe qendër shpirtërore kryesore në rajonin e Pollogut.
Qëllimi kryesor i vizitës ishte nisja e ndërhyrjeve konservuese-restauruese në Konakun e Vjetër të Manastirit të Leshokut, ndërtuar në vitin 1883. Me pamjen e tij përfaqësuese arkitektonike dhe përmasat mbresëlënëse (P+2 kate), objekti zë një pozicion dominues brenda kompleksit të karakterit fetar.
Në fazën e shtatë të projektit parashikohen ndërhyrje mbrojtëse, kryesisht në trajtimin e fasadave: ndërtimi i murit të brendshëm për forcimin e mureve ekzistuese perimetrale me strukturë druri në të dy nivelet e konakut, rikonstruksioni i elementeve dekorative të fasadës, përpunimi final i pjesëve arkitektonike-konstruktive në hyrjen kryesore, si dhe prodhimi dhe instalimi i dritareve prej druri (116 dritare të formateve të ndryshme), një derë hyrëse masive prej druri dhe punime të tjera fasadike sipas marrëveshjes me firmën kontraktuese.