Me koncertin në sallën e madhe të Universitetit më të vjetër dhe më të renomuar ELTE (Eötvös Loránd University) në Budapest, sonte në orën 19:00, Orkestra Kombëtare e Xhazit nis turneun e saj evropian. Ky koncert paraqet një mundësi për promovimin e muzikës maqedonase para një publiku intelektual dhe ndërkombëtar. Orkestrën do ta drejtojë dirigjenti Vlladimir Nikollov, ndërsa xhazistët maqedonas do të prezantohen me programin e autorëve maqedonas, “Ëndrrat maqedonase” (Macedonian Dreams). Ky program është një fuzion unik i motiveve folklorike maqedonase dhe xhazit bashkëkohor, një rrëfim i vërtetë muzikor që Orkestra Kombëtare e Xhazit e sjell me krenari në skenat evropiane, duke e paraqitur traditën kulturore dhe muzikore maqedonase në një kontekst modern.
Pas Budapestit, do të pasojnë koncertet në Pragë më 14 nëntor (“Fabrika”/La Fabrika, ora 19:30) dhe në Vjenë më 17 nëntor (Klubi “Porgy & Bess”, ora 20:30). “Fabrika” (La Fabrika) është një qendër moderne artistike dhe një nga skenat më të njohura të xhazit dhe teatrit në Çeki. Koncerti atje do të mundësojë rrjetëzim me komunitetin evropian të xhazit dhe prezantimin e Orkestrës para një publiku të mësuar me forma autentike dhe eksperimentale muzikore.
Klubi “Porgy & Bess” është ndër klubet më të njohura dhe më të rëndësishme të xhazit në Evropë, mikpritës i emrave të mëdhenj nga skena botërore. Koncerti në Vjenë është momenti kyç i turneut, pasi e pozicionon Orkestrën Kombëtare të Xhazit krah për krah me ansamblet botërore të xhazit