Ministria e Kulturës dhe Turizmit me stendë kombëtare në Panairin e 47-të Ndërkombëtar të Turizmit në Beograd

Ministria e Kulturës dhe Turizmit me stendë kombëtare në Panairin e 47-të Ndërkombëtar të Turizmit në Beograd

Ministria e Kulturës dhe Turizmit merr pjesë në Panairin e 47-të Ndërkombëtar të Turizmit “Belgrade Tourism Fair 2026”, i cili, nën moton “Një udhëtim, mijëra histori”, mbahet nga 19 deri më 22 shkurt në Beograd, Republika e Serbisë.

Në stendën kombëtare të Maqedonisë, përveç Ministrisë, të pranishëm janë edhe përfaqësues nga sektori privat turistik, industria hoteliere dhe HOTAM, si dhe komunat Gjevgjeli, Krushevë, Strugë, Resnjë, Ohër dhe Dojran. Me paraqitjen e përbashkët, institucionet dhe aktorët turistikë dërgojnë mesazh të qartë për qasje të koordinuar dhe partneritet në promovimin e ofertës turistike të Maqedonisë.

Turistët serbë tradicionalisht janë ndër mysafirët më të shumtë në vendin tonë. Gjatë vitit të kaluar, Maqedoninë e kanë vizituar mbi 73 000 turistë nga Republika e Serbisë, të cilët kanë realizuar mbi 150 000 bujtje. Më së shpeshti zgjedhin rivierën e Ohrit si destinacionin kryesor, ndërsa një pjesë e konsiderueshme janë turistë transit që vizitojnë Gjevgjelinë, Dojranin, rajonin e verës dhe Krushevën.

Pjesëmarrja në Panairin e Beogradit ka një qëllim strategjik– forcimin e mëtejshëm të pozitës së Maqedonisë në tregun serb, si dhe krijimin e kushteve për zgjatjen e qëndrimit të mysafirëve serbë për të paktën një ditë më shumë. Në këtë drejtim, promovohen paketa turistike tematike që kombinojnë turizmin liqenor, gastronomik, të verës, kulturor dhe rural, si dhe aranzhmane fundjave dhe ture që lidhin disa destinacione në vend.

Panairi përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme turistike në rajon, me pjesëmarrje të pritur të mbi 415 ekspozuesve nga mbi 30 vende dhe mbi 30 000 vizitorë. Në kuadër të Panairit organizohen edhe takime B2B, me mbi 550 takime të parapara afariste, të orientuara drejt marrëveshjeve konkrete dhe rezervimeve për sezonin e ardhshëm turistik veror.

Me prezencën në Panair, Ministria e Kulturës dhe Turizmit konfirmon përkushtimin e saj për promovim të vazhdueshëm të potencialeve turistike të vendit, për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe për përmirësimin e ofertës turistike në përputhje me trendet bashkëkohore dhe nevojat e tregut.

Accessibility Menu