Ministri i Kulturës dhe i Turizmit, Zoran Llutkov, është pjesë e delegacionit shtetëror-kishtar maqedonas, i cili, i udhëhequr nga kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, këto ditë me rastin e shënimit të 24 Majit – Ditës së iluministëve mbarësllavë, shenjtorëve Kirili dhe Metodi, po qëndron për vizitë zyrtare në Romë dhe Vatikan.
Sipas programit, sot delegacioni në Vatikan do të ketë audiencë te Papa Leoni XIV dhe takim me kardinalin Pietro Parolin, sekretar shtetëror i Selisë së Shenjtë.
Klerikët e Kishës Ortodokse Maqedonase, të udhëhequr nga kryepeshkopi i Ohrit dhe i Maqedonisë, z.z. Stefan, nesër në bazilikën „San Klemente“ në Romë do të mbajnë lutje pranë varrit të Shën Kirilit.
Delegacioni maqedonas do ta vizitojë edhe bazilikën papnore „Santa Maria Maxhore“, ku do të vendoset kurorë lulesh pranë pllakës përkujtimore të shkruar në gjuhën maqedonase. Në bazilikën „Santa Maria Maxhore“, delegacioni do ta vizitojë edhe varrin e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar.
Manifestimi në nder të Shën Kirilit do të përfundojë të dielën me koncertin e ansamblit kamertal „Konsonans“, i cili do të mbahet në sallën „Horti Salustiani“ në Romë. Koncerti është pjesë e programit kulturor me rastin e shënimit të 24 Majit – Ditës së iluministëve mbarësllavë, shenjtorëve Kirili dhe Metodi, ndërsa para publikut ndërkombëtar do të interpretohen vepra të frymëzuara nga tradita shpirtërore dhe muzikore maqedonase. Me paraqitjen e „Konsonans“, do të përmbyllet kremtimi i sivjetshëm në Romë dhe Vatikan.