Qendra Kulturore-Informative Maqedonase (QIK) në Zagreb mori një mirënjohje me rastin e 60-vjetorit të Manifestimit Ndërkombëtar të Folklorit në Zagreb, si vlerësim për kontributin e saj krijues dhe bashkëpunimin e suksesshëm në promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale, si dhe në forcimin e lidhjeve kulturore ndërmjet Maqedonisë dhe Kroacisë.
Mirënjohja u dorëzua nga drejtori artistik i manifestimit, Tvrtko Zebec, ndërsa në emër të drejtoreshës së QIK-ut, Mimi Gjorgoska Ilievska, e pranoi Zorica Velinovska.
Me rastin e jubileut, në QIK u organizua ekspozita “Përshëndetje nga Maqedonia – fotografi të grupeve folklorike maqedonase në Manifestimin Ndërkombëtar të Folklorit në Zagreb”, e cila përmes fotografive arkivore paraqet pjesëmarrjen gjashtëdhjetëvjeçare të ansambleve maqedonase në këtë manifestim të njohur.
Në kuadër të programit të sivjetshëm të manifestimit, Maqedonia u përfaqësua nga SHKA “Drimkol” nga Vevçani, e cila me folklorin autentik vevçanas performoi në skenat e parkut Zrinjevac dhe në sheshin “Ban Jelaçiq” në Zagreb.