Mbrëmë në Cinema Galeries, në Bruksel, u mbajt premiera evropiane e filmit artistik maqedonas “DJ Ahmet”, debutimi regjisorial i Georgi Unkovskit, një ngjarje që tërhoqi vëmendjen e përfaqësuesve të institucioneve evropiane, diplomatëve, profesionistëve të filmit, mysafirëve dhe dashamirëve të artit të shtatë.
Para fillimit të shfaqjes, para të pranishmëve foli ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, i cili theksoi se shfaqja e një filmi maqedonas në zemër të Evropës përbën një sukses të rëndësishëm dhe një dëshmi të fortë për cilësinë e kinematografisë vendase.
“Është nder për mua që sonte, këtu në zemër të Evropës, në Bruksel, shënojmë premierën e filmit artistik maqedonas ‘DJ Ahmet’. Pas kësaj shfaqjeje, besoj se të gjithë do të ndiejmë se sa një film mund të jetë njëkohësisht thellësisht lokal në rrëfimin e tij, por megjithatë universal në emocionin dhe mesazhin që sjell,” tha ministri Llutkov.
Ai shprehu lavdërime të sinqerta për ekipin autor dhe producent, duke theksuar se filmi është një arritje artistike që e përfaqëson denjësisht shtetin në skenën evropiane dhe është dëshmi e pjekurisë, guximit krijues dhe potencialit ndërkombëtar të kinematografisë maqedonase.
Ministri shtoi se filmi është rezultat i një bashkëpunimi të fortë ndërkombëtar dhe besimi mes institucioneve partnere. “Kjo nuk është vetëm një vepër artistike, por rezultat i bashkëpunimit, besimit dhe vizionit të përbashkët. Projektet e koproduksionit janë një mundësi e shkëlqyer që autorët dhe producentët tanë të bëhen pjesë e një rrjeti më të gjerë evropian, të fitojnë qasje në tregje të reja dhe publik të ri, dhe në këtë mënyrë kinematografitë e vogla të jenë pjesë e barabartë dhe e dukshme e hapësirës audiovizuale evropiane,” tha ai.
Pas shfaqjes u mbajt një panel-diskutim i dedikuar rolit dhe rëndësisë së koproduksioneve në hapësirën audiovizuale evropiane, ku u theksua se partneritete të tilla janë kyçe për zhvillimin, dukshmërinë dhe konkurrueshmërinë e filmit evropian.
Premiera dhe panel-diskutimi janë një tjetër dëshmi për praninë aktive të kulturës maqedonase në hapësirën evropiane dhe për angazhimin e vazhdueshëm në thellimin e bashkëpunimit kulturor me partnerët evropianë.