Orkestra Nacionale e Xhazit sonte, në orën 21:00, në skenën “Dolni Saraj” do të interpretojë koncertin “Ëndërrime maqedonase”, në kuadër të edicionit të 66-të të “Verës së Ohrit”. Orkestrën do ta dirigjojë maestro Vladimir Nikolov, ndërsa mysafir special do të jetë trumpetisti Peter Somuah nga Gana.
Në program janë aranzhime të reja të këngëve popullore maqedonase dhe kompozime autoriale të frymëzuara nga tradita folklorike maqedonase. Mes tyre është edhe aranzhimi i ri i këngës “Biljana platno beleše”, nga pianisti Gordan Spasovski.
Koncerti “Ëndërrime maqedonase” do të interpretohet edhe në Manastir, më 16 gusht në orën 20:00, para Shtëpisë së Oficerëve, pa pjesëmarrjen e Somuah. Hyrja është falas.
Koncerti është publikuar edhe në CD dhe në platformat digjitale, ndërsa së shpejti është paralajmëruar edhe një edicion në vinil. Projekti tashmë ka pasur paraqitje të suksesshme në Budapest, Pragë, Vjenë dhe Bruksel, ku Orkestra u shpërblye me ovacione në këmbë.
Peter Somuah është një trumpetist i ri dhe i vlerësuar i xhazit, i cili jeton dhe punon në Roterdam. Ai është fitues i “Erasmus Jazz Award” dhe “Edison Jazz Award”, ndërsa në muzikën e tij ndërthur xhazin, funkun, soulin dhe muzikën tradicionale të Ganës.