Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, po qëndron në Bruksel, ku sonte do të mbajë një fjalim para fillimit të koncertit të Orkestrës së Xhazit, i cili është pjesë e programit të manifestimit “Ditët e kulturës maqedonase” në Belgjikë.
Publiku i koncertit, i cili do të mbahet në sallën prestigjioze Bozar në Bruksel, do të ketë mundësinë të shijojë një ndërthurje unike mes traditës maqedonase dhe shprehjes moderne të xhazit.
Manifestimi “Ditët e kulturës maqedonase”, në të cilin arti maqedonas prezantohet para publikut evropian në formën e tij më përfaqësuese, filloi më 2 maj me performancën e Baletit të Operës dhe Baletit Kombëtar në Antverpen. Dje programi vazhdoi në kinemanë Cinema Galeries në Bruksel me shfaqjen e filmit “Shëruesi” në regji të Gjorgje Stavreskit.
Deri në fund të vitit, manifestimi do të përmbyllet me një ekspozitë të ikonave terrakote nga Vinica në Parlamentin Evropian.
“Ditët e kulturës maqedonase” përfaqësojnë një mundësi të veçantë për promovimin e trashëgimisë së pasur kulturore dhe krijimtarisë bashkëkohore artistike të Maqedonisë në skenën ndërkombëtare. Ky manifestim prestigjioz realizohet në organizim dhe me mbështetje financiare të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.