Llutkov: Gjuha maqedonase nuk është çështje politike, por vlerë kombëtare

Llutkov: Gjuha maqedonase nuk është çështje politike, por vlerë kombëtare

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën mbikëqyrëse me temë „Zbatimi jofunksional dhe jokonsistent i dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase“, theksoi se zbatimi i Ligjit është detyrim i të gjitha institucioneve dhe se zbatimi i tij i plotë nuk guxon të jetë objekt i përplasjeve të politikës ditore.



Ai nënvizoi se Ligji është miratuar me konsensus të gjerë parlamentar në fillim të vitit 2024, ndërsa detyrën e ministrit e ka marrë disa muaj më vonë, në një periudhë kur ende nuk ishte themeluar Inspektorati për përdorimin e gjuhës standarde maqedonase dhe nuk ishin krijuar kushtet për funksionimin e tij operativ.



„Zbatimi jokonsistent dhe jofunksional i Ligjit nuk ka filluar me këtë Qeveri. Ai është rezultat i mungesës shumëvjeçare të një qasjeje sistematike, i inercisë institucionale dhe i mungesës së vullnetit të mjaftueshëm politik. Prandaj, sot duhet të flasim me fakte dhe jo me kualifikime politike“, theksoi Ljutkov.



Ministri bëri të ditur se gjatë periudhës së kaluar është formuar Këshilli për Gjuhën Maqedonase, ka filluar përgatitja e Strategjisë Kombëtare për Gjuhën Maqedonase, provimet për lektorë zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa për herë të parë është themeluar Inspektorati për përdorimin e gjuhës standarde maqedonase, i cili tashmë ka të punësuar inspektorë që ndodhen në proces trajnimi.



LLutkov informoi gjithashtu se Qeveria i ka obliguar institucionet të sigurojnë respektimin e plotë të detyrimeve ligjore në lidhje me angazhimin e lektorëve, ndërsa të dhënat që po grumbullohen do të shërbejnë si bazë për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Gjuhën Maqedonase.



Duke folur për afirmimin e gjuhës maqedonase jashtë vendit, ministri theksoi se aktualisht funksionojnë 12 lektorate të gjuhës maqedonase në 11 shtete, ndërsa në tre vitet e fundit janë hapur lektorate të reja në Tiranë, Nitra dhe Napoli.



„Detyrimi ynë është që gjuha maqedonase të marrë një mbrojtje institucionale të vërtetë, të gjallë dhe dinjitoze. Respekti ndaj gjuhës maqedonase nuk dëshmohet me deklarata, por me institucione që funksionojnë, me ligje që zbatohen dhe me një shtet që i përmbush me përpikëri detyrimet e veta“, porositi ministri Llutkov.

Accessibility Menu