Orkestra Kombëtare e Xhazit, sonte në Operën dhe Baletin Kombëtar, do të mbajë koncert me pianistin dhe organistin e njohur botërisht Renato Chicco. Në koncert, nën dirigjimin e Dzijan Emin, do të interpretohet programi nga albumi i Chicco-s, “First Encounter – Organ & Big Band” – projekt që vendos organet Hammond në formatin bashkëkohor të big-bendit, përmes kompozimeve origjinale dhe aranzhimeve të shkruara posaçërisht.
Renato Chicco është muzikant i formuar në skenën e xhazit të Nju Jorkut në vitet 1990. Në atë periudhë, si anëtar i orkestrës së Lionel Hampton dhe drejtor muzikor i “Jon Hendricks and Company”, Chicco vepronte në vetë bërthamën e traditës amerikane të big-bendit, duke performuar edhe në klube kult të xhazit si “Blue Note” dhe “Birdland”.
Në koncert do të interpretohet programi nga albumi i tij “First Encounter – Organ & Big Band”.
Mysafir special i mbrëmjes është Andy Watson (Nju Jork) – baterist me karrierë të pasur në skenën amerikane të xhazit dhe bashkëpunëtor i ansambleve si “Vanguard Jazz Orchestra” dhe Toshiko Akiyoshi Big Band. Groove-i dhe stili i tij i veçantë përfaqësojnë element kyç në identitetin tingullor të këtij projekti.