Me monodramën “Karmen”, Teatri Dramatik sot hap programin zyrtar të festivalit Seoul International Monodrama Festival 2026 në Seul, Koreja e Jugut. Festivali zhvillohet nga 17 deri më 26 mars, në organizim të teatrit Samilro Changgo Theater nga Seuli. Ky teatër është historikisht jashtëzakonisht i rëndësishëm si “teatër i vogël”, i cili konsiderohet si qendër e skenës alternative dhe bashkëkohore në Korenë e Jugut. Përmes festivalit ndërkombëtar të dedikuar monodramës si formë specifike dhe jashtëzakonisht sfiduese skenike, teatri arrin të pozicionohet me sukses në hartën botërore të teatrit.
Me programin e përzgjedhur me kujdes, festivali e konfirmon rëndësinë e monodramës si formë e fuqishme dhe bashkëkohore e shprehjes teatrore, e cila përmes aktorit si bartës i vetëm i veprimit arrin të hapë tema universale dhe histori të thella njerëzore. Publiku i festivalit, përveç shfaqjes maqedonase, do të ketë mundësi të ndjekë edhe tetë shfaqje nga Koreja e Jugut, Polonia, Japonia, Rumania dhe Italia, të cilat do të ofrojnë qasje artistike të larmishme, gjuhë skenike bashkëkohore dhe shprehje aktoriale inovative.
Monodrama “Karmen” është punuar mbi motivin e romanit Pesë orë me Mario të shkrimtarit spanjoll Miguel Delibes, dhe premiera e saj u dha në maj të vitit 2021. Regjia dhe dramatizimi janë të Dejan Projkovskit, skenografia e Valentin Svetozarevit, lëvizjet skenike të Olga Pangos, kostumografia e Rade Vasilevit, ndërsa muzika e Goran Trajkovskit. Aktorja Biljana Dragiçeviq-Projkovska për rolin e Karmenit ka marrë disa çmime dhe mirënjohje ndërkombëtare. Në Seul do të jetë shfaqja e 49-të e monodramës, e cila vazhdon të jetë pjesë e repertorit të rregullt të Teatrit Dramatik.