Blagojçe Naumoski-Bane me “Gjeometria e materies” në Nju Jork

Blagojçe Naumoski-Bane me “Gjeometria e materies” në Nju Jork

“Gjeometria e materies” është titulli i ekspozitës së Blagojçe Naumoski-Bane, e cila u hap mbrëmë në Galerinë MC në Nju Jork. Ekspozita paraqet hulumtim hapësinor të energjisë dhe materialitetit përmes abstraksionit gjeometrik, ku vizatimi shndërrohet në medium për reflektim mbi marrëdhënien mes të dukshmes dhe të padukshmes, strukturës dhe lëvizjes, formës dhe zbrazëtisë.

 

– Projekti e tejkalon figurën njerëzore si pikë referimi dhe drejtohet kah arkitektura e padukshme e materies, ritmet, tensionet dhe transformimet e saj, të shprehura përmes një serie vizatimesh të instaluara si një instalacion hapësinor imersiv. Çdo vizatim funksionon si diagram vizual, përmes të cilit bashkohen dy tradita të ndryshme të konceptimit të energjisë dhe materies: parimi perëndimor, që thekson strukturën, matshmërinë dhe gjeometrinë analitike, dhe parimi lindor, që vë në pah rrjedhën, vazhdimësinë dhe ndërvarësinë dinamike të forcave – thonë organizatorët.

 

Blagojçe Naumoski (1985, Kërçovë). Diplomoi në vitin 2007 në Fakultetin e Arteve Figurative pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, drejtimi pedagogjik – pikturë. Në vitin 2009 u bë magjistër në fushën e pikturës. Që nga viti 2007 është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Maqedonisë (DLUM). Në vitin 2009 u bë anëtar i grupit Art I.N.S.T.I.T.U.T dhe mori pjesë aktive në të gjitha projektet e tij.

 

Që nga viti 2015 është anëtar i kolektivit Ad Akta. Nga viti 2012 punon si asistent në Fakultetin e Artit dhe Dizajnit pranë Universitetit Evropian të Republikës së Maqedonisë. Në vitin 2016 u bë docent në të njëjtin fakultet. Aktualisht është profesor i jashtëm dhe dekan i Fakultetit të Artit dhe Dizajnit. Ka ekspozuar në Berlin (Gjermani), Nju Jork (SHBA), Lubjanë (Slloveni), Paris (Francë), Haifa (Izrael), Pragë (Çeki), Sofje (Bullgari), Prishtinë (Kosovë), Vjenë (Austri), Otava (Kanada) etj. Gjithashtu ka marrë pjesë në shumë koloni artistike. Gjatë periudhës së kaluar ka realizuar njëzet e tre ekspozita personale dhe shumë ekspozita grupore.

Accessibility Menu