Është duke u zhvilluar edicioni i 16-të i Podiumit Ndërkombëtar Koncertal të Flautistëve në malin Kozhuf, në afërsi të Kavadarit.
Në manifestim marrin pjesë 15 flautistë të rinj nga Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Bullgaria, të cilët gjatë programit disaditor kanë mundësi të punojnë dhe t’i përsosin aftësitë e tyre muzikore nën mentorimin e profesorëve dhe flautistëve të shquar nga rajoni.
Pjesën artistike dhe edukative e realizojnë profesorët Strasho Temkov nga FMU-Shkup, i cili është edhe drejtues i festivalit, Miomir Simonoviq nga FMU në Beograd, Gjorgji Spasov nga FMU në Sofje dhe Sonja Miletiq nga FAM në Banja Llukë.
Programi i podiumit përfshin aktivitete edukative, punë individuale dhe paraqitje koncertale, ndërsa do të përmbyllet këtë të shtunë, më 29 gusht, me koncertin përfundimtar, në të cilin pjesëmarrësit e rinj do të prezantohen para publikut me vepra të kompozitorëve vendas dhe botërorë.
Podiumi Ndërkombëtar Koncertal i Flautistëve edhe këtë vit paraqet një mundësi për edukim muzikor, shkëmbim përvojash dhe përsosje profesionale të flautistëve të rinj nga rajoni.
Manifestimi mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe Komuna e Kavadarit.