Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, zhvilloi takim me ambasadorin e Shtetit të Katarit në Maqedoninë e Veriut, Rashid bin Saed Al Khayareen, ku u diskutua për marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit institucional, shkëmbimit kulturor dhe realizimit të projekteve të përbashkëta që do të kontribuojnë në afrimin e mëtejshëm të dy vendeve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për nënshkrimin e Programit të Bashkëpunimit në fushën e kulturës, në bazë të Marrëveshjes së vitit 2011 ndërmjet dy vendeve. Gjithashtu, u diskutua për mundësinë e organizimit të një takimi ndërmjet ministrave të kulturës, me qëllim përcaktimin e hapave të ardhshëm të bashkëpunimit.
Në takim u shpreh gatishmëria e përbashkët për vazhdimin e dialogut dhe zhvillimin e nismave të reja që do të forcojnë lidhjet kulturore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Katarit.