Këshilli për Kulturë i kryesuar nga kryetarja Ganka Cvetanova, mbajti mbledhje në të cilën u shqyrtua draft-stratregjia për zhvillimin e kulturës për periudhën 2026–2030. Në mbledhje, anëtarët e Këshillit diskutuan për përmbajtjen e dokumentit, prioritetet e tij dhe drejtimet për zhvillimin e ardhshëm të sistemit kulturor në shtet.
Strategjia Kombëtare për zhvillimin e kulturës paraqet dokumentin kryesor strategjik përmes të cilit shteti përcakton kornizat institucionale të domosdoshme, mjetet administrative dhe masat, si dhe qëllimet dhe aktivitetet prioritare në fushën e kulturës për një periudhë pesëvjeçare.
Strategjia identifikon pesë fusha prioritare përmes të cilave në periudhën e ardhshme pesëvjeçare do të zbatohen reformat në kulturë: nxitja dhe kultivimi i cilësisë dhe larmisë së shprehjeve kreative në artet, mbrojtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i trashëgimisë kulturore, riformësimi i modeleve të menaxhimit në kulturë me më shumë autonomi institucionale, digjitalizimi dhe transformimi digjital në kulturë, si dhe avancimi i kulturës si burim për zhvillim kreativ, social dhe ekonomik.
Në hartimin e draft-stratregjisë mori pjesë një grup pune i formuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, i përbërë nga nëpunës me përvojë shumëvjeçare në institucion. Dokumenti u përgatit në konsultim me Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, si dhe me mbi 50 përfaqësues nga institucione, qendra shkencore, sektori civil dhe privat, shoqata profesionale, autorë, artistë dhe profesorë nga institucionet e arsimit të lartë. Në kuadër të përgatitjes u bënë analiza për periudhën 2019–2024, ndërsa dokumenti u rishikua edhe nga ekspertë të UNESCO-s.
Në periudhën e ardhshme Strategjia do të vihet në konsultim të gjerë publik. Është parashikuar që dokumenti të publikohet në Regjistrin Kombëtar Elektronik të akteve, me ç’rast do të mundësohet që të gjitha palët e interesuara të dorëzojnë mendime, propozime dhe vërejtje. Përveç kësaj, do të organizohen debate publike, ndërsa dokumenti do t’u dërgohet për mendim edhe organeve shtetërore, institucioneve nga fusha e kulturës, shoqatave dhe sektorit kulturor të pavarur.
Angazhimi i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit është që procesi i hartimit dhe miratimit të Strategjisë Kombëtare për zhvillimin e kulturës të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent, përmes dialogut konstruktiv me të gjithë aktorët në sektorin kulturor.