Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, realizoi takim pune me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ku u shqyrtuan prioritetet dhe aktivitetet e përbashkëta me rëndësi për zhvillimin kulturor të kryeqytetit.
Fokus i veçantë gjatë takimit iu kushtua “Shkupi 2028 – Kryeqyteti Evropian i Kulturës”, si mundësi e rëndësishme për pozicionimin ndërkombëtar të Shkupit dhe krijimin e vlerave të qëndrueshme për qytetarët.
Në këtë drejtim, u diskutua për finalizimin e projekteve që lidhen me lokalitetin arkeologjik Skupi, Kalanë e Shkupit dhe Akuaduktin, avancimin e potencialeve turistike të qytetit, si dhe për lidhjen më efikase të institucioneve kulturore të qytetit dhe atyre nacionale.
Ministri Sulejmani dhe kryetari Gjorgjievski inspektuan edhe aktivitetet ndërtimore në Sallën Universale, ndër objektet më të rëndësishme kulturore në Shkup. Pas përfundimit të rikonstruksionit, Salla Universale duhet t’i hapë sërish dyert për artistët dhe publikun dhe të rikthejë vendin e saj të rëndësishëm në jetën kulturore të qytetit.