Ministri Llutkov në vizitë në kishën “Shën Athanasi i Madh” në Gabrovë: fillojnë aktivitetet për konservim dhe restaurim

Ministri Llutkov në vizitë në kishën “Shën Athanasi i Madh” në Gabrovë: fillojnë aktivitetet për konservim dhe restaurim

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, sot së bashku me kryetarin e komunës së Gjevgjelisë, Andon Saramanodv, dhe Mitropolitin e Eparkisë së Povardarisë, Agatangel, vizituan kishën “Shën Athanasi i Madh” në fshatin Gabrovë, komuna e Gjevgjelisë, një objekt i rëndësishëm sakral i ndërtuar në vitin 1851 nga ndërtuesi Andon Kitanov, me pikturë murale nga gjysma e dytë e shekullit XIX, vepër e piktorit të njohur ikonograf Dimitar Andonov – Papradishki.

 

Gjatë vizitës u krye inspektim i aktiviteteve përgatitore për konservimin dhe restaurimin e pikturës murale dhe arkitekturës së kishës, të cilat realizohen nga ekipe profesionale të Entit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeut – Strumicë. Ministri u informua për dinamikën e përgatitjes së projekteve bazë, pas së cilës do të vijojë procedura për prokurim publik dhe fillimi i realizimit, i planifikuar për qershor 2026. Për këto aktivitete janë siguruar 720.000 denarë.

 

Siç theksoi ministri gjatë vizitës: “Kisha ‘Shën Athanasi i Madh’ përfaqëson një pjesë të çmuar të trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore. Detyrimi ynë është të ruajmë pamjen e saj autentike dhe vlerën artistike, por edhe të krijojmë kushte për promovimin e saj më të madh dhe përfshirjen në ofertën kulturore-turistike të rajonit.”

 

Kryetari i Komunës së Gjevgjelisë, Andon Saramanodv, theksoi se iniciativa për projektin ka ardhur nga banorët e Gabrovës. Ai shtoi se me realizimin e tij, Gjevgjelia fiton edhe një pikë të rëndësishme në hartën kulturore dhe turistike të qytetit.

 

Projekti është rezultat i një iniciative të përbashkët me vetëqeverisjen lokale dhe përfaqëson një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet institucioneve në drejtim të mbrojtjes afatgjatë, përmirësimit dhe valorizimit të trashëgimisë kulturore.

Accessibility Menu