Analiza e trendit të turizmit në pesë muajt e parë të vitit 2025 tregon se Maqedonia po përjeton intensifikim të qarkullimit turistik dhe rritje të interesit të turistëve të huaj nga vendet e Evropës Perëndimore, kryesisht nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. Ministria e Kulturës dhe Turizmit analizoi të dhënat më të fundit mbi lëvizjen e turistëve të huaj në Maqedoni për pesë muajt e parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, me rritje prej 23.6% të turistëve të huaj dhe rritje prej 18.7% të bujtjeve të realizuara.
Në pesë muajt e parë të vitit 2025, qarkullimi turistik në Maqedoni ka shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Gjermania bie në sy në veçanti me rritje prej 219% të numrit të turistëve dhe 146% të bujtjeve, gjë që tregon interes të rritur të turistëve gjermanë për të vizituar vendin tonë. Franca shënoi rritjen më të lartë me 398% më shumë turistë dhe 303% më shumë bujtje, duke u pozicionuar si objektiv i ri strategjik për politikat turistike. Mbretëria e Bashkuar regjistroi rritje të konsiderueshme prej 204% në numrin e turistëve dhe 139% të bujtjeve. Turqia, e cila ishte tregu kryesor në vitin 2024, vazhdon me rritje të qëndrueshme prej 11% në numrin e turistëve dhe 21% të bujtjeve, duke ruajtur pozicionin e saj të parë për sa i përket numrit të përgjithshëm të turistëve dhe bujtjeve. Këto rezultate konfirmojnë dinamikën pozitive dhe interesin e shtuar për Maqedoninë si destinacion tërheqës turistik në hartën evropiane.
Maqedonia po përjeton interes në rritje midis vizitorëve të huaj për turizmin kulturor në muajt jashtë sezonit tradicional, gjë që kontribuon ndjeshëm në anulimin e turizmit sezonal, rritjen e të ardhurave totale nga turizmi dhe forcimin e ekonomisë lokale. Ky trend është me rëndësi të jashtëzakonshme sepse krijon aktivitet të vazhdueshëm turistik gjatë gjithë vitit, angazhon komunitetet lokale, artizanët, ciceronët dhe gastronomët si dhe mundëson zhvillim të ekuilibruar ekonomik jashtë qendrave turistike. Ministria do t'i përdorë këto të dhëna për të synuar me saktësi aktivitetet promovuese, për të përgatitur programin e sektorit të turizmit, për të forcuar lidhjet ajrore me tregjet e reja dhe për të mbështetur në mënyrë aktive operatorët turistikë.