Llutkov: Shkupi 2028 është projekt i njerëzve, i të gjithëve ne, një histori e re për qytetin e hapjes, bashkëpunimit dhe solidaritetit

Llutkov: Shkupi 2028 është projekt i njerëzve, i të gjithëve ne, një histori e re për qytetin e hapjes, bashkëpunimit dhe solidaritetit

Ky është një moment kur një qytet e sheh veten me sy të rinj dhe kur e ndërton të ardhmen e tij përmes kulturës. Kjo është një mundësi për të krijuar një histori të re për Shkupin — histori e hapjes, bashkëpunimit dhe solidaritetit. Ky nuk është projekt i institucioneve. Ky është projekt i njerëzve. I të gjithëve ne“, theksoi ministri i kulturës dhe turizmit Zoran Llutkov në fjalimin e tij hyrës në konferencën „Shkupi — Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028“, e cila po mbahet sot në kryeqytet.

Në konferencën kushtuar njërit prej projekteve strategjike më të rëndësishme për vendin tonë, ministri Llutkov, në prani të euroambasadorit, kryetarëve të komunave dhe delegacioneve nga qytetet partnere, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, komunitetit akademik, si dhe shumë mysafirëve vendas dhe të huaj, theksoi se Shkupi ka një shans historik të afirmohet si një qendër moderne evropiane kulturore.

Llutkov potencoi se projekti ka mbështetje të plotë dhe të qartë nga Qeveria, e udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, e cila siguron stabilitet institucional, financiar dhe politik për realizimin e tij.

„Mbështetja është e fortë dhe e qartë — ajo nënkupton vazhdimësi, koordinim dhe siguri se ky vizion do të realizohet“, theksoi ai.

Duke folur për rëndësinë e titullit Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028, ministri theksoi:

„Nuk flasim vetëm për një titull. Flasim për një proces që e ndryshon qytetin — për një energji të re, për hapësira të reja kulturore dhe për mundësinë që Shkupi të bëhet një pikë e vërtetë lidhjeje në Evropë.“

Ai shtoi se kjo iniciativë nuk është e orientuar vetëm drejt vitit 2028, por drejt një transformimi afatgjatë:

„Ajo që po ndërtojmë sot do të ndihet edhe pas vitit 2028 — si një impuls i ri kulturor, si një mënyrë e re e jetesës së qytetit.“

Në këtë kuptim, u theksuan edhe projekte konkrete për përmirësimin e infrastrukturës kulturore, ndër të cilat revitalizimi i Kalasë së Shkupit, mbrojtja e Akuaduktit të Shkupit, rinovimi i Sallës Universale, gjallërimi i lokalitetit Skupi, si dhe krijimi i hapësirave të reja kulturore, që do t’u përkasin qytetarëve.

„Evropa nuk është vetëm politikë — Evropa është kulturë, identitet dhe ndjenjë e përbashkët përkatësie. Shkupi 2028 është mundësia jonë për ta treguar këtë qartë“, porositi ministri Llutkov.

Konferenca vazhdon me diskutime panel kushtuar kulturës, politikave urbane dhe zhvillimit të qyteteve të qëndrueshme evropiane, me fokus në forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e ideve.

Accessibility Menu