Sot u zhvillua takim ndërmjet ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, dhe ambasadorit të Malit të Zi, Zoran Miljaniq, në të cilin u shkëmbyen mendime për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi ishte ndër temat e bisedës, ku u konfirmua gatishmëria e përbashkët për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian.
Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit kulturor, i cili gjatë periudhës së kaluar ka rezultuar me nisma dhe projekte të shumta. Bashkëbiseduesit shqyrtuan edhe mundësinë e nënshkrimit të dokumentit të ri dypalësh ndërmjet institucioneve kompetente, i cili do t’i jepte shtysë shtesë zhvillimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës.
Në takim u diskutuan edhe mundësitë për thellimin e shkëmbimit turistik. Me këtë rast u theksua se këtë vit Malin e Zi e kanë vizituar rreth 33.000 turistë nga Maqedonia e Veriut, gjë që konfirmon se dy vendet kanë potencial të konsiderueshëm për lidhje të mëtejshme edhe në turizëm.
Përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit së shpejti do të marrin pjesë në Forumin Ndërrajonal Evropiano-Aziatik për Turizëm, i cili do të mbahet nga 11 deri më 14 tetor në Podgoricë.