Fillon procesi i hartimit të Strategjisë Kombëtare për Turizëm 2027 – 2032

Fillon procesi i hartimit të Strategjisë Kombëtare për Turizëm 2027 – 2032

Sot, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, u mbajt mbledhja e dytë e Këshillit për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit. Në këtë mbledhje, anëtarët e Këshillit kërkuan që të dorëzohen iniciativa konkrete për hartimin e Strategjisë Nacionale për Turizëm, me qëllim që të iniciohet procedura formale për përgatitjen e saj.

Me ftesë të Ministrisë të Kulturës dhe Turizmit, në mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues nga Banka Botërore dhe projekti IME, i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës, të cilët në kuadër të aktiviteteve të tyre programuese parashikojnë mbështetje teknike dhe financiare për zhvillimin e turizmit.

Koordinatori nacional për Turizëm, Akan Mahmut, në paraqitjen e tij para Këshillit theksoi se pjesëmarrja në këtë mbledhje e konfirmon përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut ndaj turizmit, i cili gjithnjë e më shumë po pozicionohet si sektor strategjik për zhvillim ekonomik. Ai potencoi se turizmi, përveç sigurimit të të ardhurave, hap mundësi të reja për komunitetet lokale, afirmon kulturën e vendit dhe përmirëson njohjen ndërkombëtare të shtetit.

 

– Gjatë periudhës së kaluar janë realizuar aktivitete të rëndësishme të orientuara drejt konsolidimit të sektorit të turizmit, përmes forcimit të koordinimit institucional, mbështetjes së aktorëve lokalë dhe hapjes së mundësive të reja zhvillimore – theksoi Mahmut.

 

Në kuadër të mbledhjes u prezantua Plan Veprimi për Zhvillimin e Turizmit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili pritet të dalë nga Strategjia Nacionale për Turizëm për periudhën 2027 – 2032. Plani fokusohet në reforma strukturore, përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve. Gjithashtu, u prezantuan propozim-projekti për zhvillimin e turizmit rural dhe malor, me ç’rast u theksua rëndësia e harmonizimit me standardet dhe rregulloret evropiane, veçanërisht në aspektin e sigurisë gjatë lëvizjes në zonat malore dhe futjes së udhërrëfyesve turistikë të certifikuar dhe të trajnuar.

 

Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe e përdorimit efektiv të programeve të huaja si nxitës kyç për zhvillimin dhe modernizimin e sektorit të turizmit. Në këtë drejtim, përfaqësuesit e Programit për Punësim të Drejtuar nga Tregu (IME) mbajtën një prezantim dhe paraqitën mundësitë për mbështetjen e sektorit.

 

Në mënyrë shtesë, u prezantua edhe Analiza e Turizmit në Maqedoninë e Veriut, e përgatitur nga Banka Botërore, e cila ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse të pozicionimit të vendit në kuadër evropian dhe global, veçanërisht në lidhje me numrin e turistëve, netëqëndrimet dhe efektet ekonomike të turizmit.

 

Këshilli konkludoj se qasja e koordinuar, bashkëpunimi i përforcuar institucional dhe shfrytëzimi strategjik i mbështetjes ndërkombëtare janë parakushte kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në vend dhe propozoi hapat e ardhshëm përmes konkluzioneve konkrete, të cilat do t’i dorëzohen Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për veprime të mëtejshme.

Accessibility Menu