Teatri për Fëmijë dhe të Rinj nga Shkupi nesër mbrëma në orën 19:00 do ta shfaqë premierën e dramës „Sadako dëshiron të jetojë“, në regji dhe dramatizim të Tamara Kuçinoviq nga Kroacia, e punuar sipas motiveve nga romani me të njëjtin titull i Karl Bruknerit.
Drama është e frymëzuar nga historia e vërtetë e Sadako Sasaki – vajza nga Hiroshima e cila, pas pasojave tragjike të bombës atomike, u bë simbol botëror i paqes, shpresës dhe vullnetit për jetë. Përmes një rrëfimi emocional, drama eksploron kujtimin e një vajze e cila, pavarësisht fatit të rëndë, deri në momentin e fundit besonte në jetë, në dashuri dhe në shpresë.
„Sadako dëshiron të jetojë“ nuk është dramë për vdekjen, por për jetën – për gëzimin, këmbënguljen dhe forcën njerëzore që i kundërvihet errësirës. E frymëzuar nga ngjarje të vërteta, drama i kushtohet të gjithë fëmijëve të vrarë në luftëra dhe paraqet një kujtesë të fuqishme për rëndësinë e paqes dhe solidaritetit njerëzor. Në dramë marrin pjesë: Anastasija Lasovska në rolin e Sadakos, Nikola Nakovski si Shigeo, Ana Levajkoviq-Boshkov në rolin e nënës, Katarina Ilievska-Siljanovska si babai, Izabela Novotni në rolin e gjyshes dhe Marija Gjorgjievska në rolet Zoti Luftë / Zonja Leukemi.