Me rastin e 27 Marsit – Ditës Botërore të Teatrit, Ministria e Kulturës dhe Turizmit përcjell urime për të gjithë artistët e teatrit, profesionistët, punonjësit e kulturës dhe dashamirët e artit skenik, të cilët me përkushtimin e tyre e mbajnë gjallë këtë formë të jashtëzakonshme të shprehjes artistike.
Ky ditë tradicionalisht shënohet me një mesazh nga një personalitet i shquar botëror i teatrit. Këtë vit, autor i mesazhit ndërkombëtar është Willem Dafoe, i cili thekson rolin thelbësor të teatrit si art i gjallë që ekziston vetëm përmes kontaktit të drejtpërdrejtë mes aktorit dhe publikut.
Në mesazhin e tij, Dafoe kujton se pavarësisht numrit të të pranishmëve, pikërisht publiku i jep kuptim dhe jetë teatrit. Në kohën e zhvillimit të shpejtë teknologjik dhe izolimit gjithnjë e më të theksuar digjital, teatri mbetet hapësirë e takimit të vërtetë njerëzor, e vëmendjes dhe e bashkësisë. Ai nënvizon rolin e pazëvendësueshëm të teatrit në nxitjen e mendimit kritik, hapjen e çështjeve shoqërore dhe lidhjen e njerëzve, komuniteteve dhe kulturave.
Paralelisht, komuniteti teatror shqiptar përmes një mesazhi kolektiv autorial dërgon një reflektim të fuqishëm dhe autentik për rëndësinë e teatrit në shoqërinë tonë. Në të, teatri përshkruhet si “magazinë me shumë krahë” – hapësirë e lirisë, ëndrrave, vetë-reflektimit dhe afërsisë njerëzore.
Mesazhi thekson nevojën thelbësore për teatrin si art i gjallë dhe i drejtpërdrejtë, i cili nuk varet nga forma apo hapësira, por nga sinqeriteti, ideja dhe përjetimi i përbashkët. Teatri nuk është përsosmëri, por e vërtetë – vend ku hapen pyetje të rëndësishme, rishikohet realiteti dhe kërkohet kuptim në botën bashkëkohore.
Gjithashtu, vihet në dukje rëndësia e krijimit të kushteve për një hapësirë teatrale të lirë, të arritshme dhe të drejtë, të çliruar nga ndikimet që kufizojnë kreativitetin dhe zhvillimin e artistëve, veçanërisht të gjeneratave të reja.
Dita Botërore e Teatrit është një kujtesë se teatri është më shumë se një skenë – ai është shkëmbim i gjallë energjie, emocioni dhe mendimi. Është hapësirë ku koha ndalet, dhe njeriu përballet me veten dhe me botën përreth.
Kjo ditë e rëndësishme do të shënohet edhe përmes një programi të pasur të teatrove në mbarë vendin me shfaqjet dhe aktivitetet e tyre.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të vazhdojë ta mbështesë zhvillimin e artit teatror, duke e njohur rolin e tij të rëndësishëm në ndërtimin e identitetit kulturor, vetëdijes kritike dhe dialogut shoqëror.
Gëzuar Ditën Botërore të Teatrit!