Ekspozita “H.O.P.E.” e Ilina Arsovës në Stamboll

Ekspozita “H.O.P.E.” e Ilina Arsovës në Stamboll

Në Qendrën Kulturore të Maqedonisë në Stamboll, më 7 prill (e martë), me fillim nga ora 19:00, do të hapet ekspozita “H.O.P.E. – Harmonies of Presence & Empathy” e artistes maqedonase Ilina Arsova.

 

Ekspozita paraqet një hulumtim vizual të konceptit të harmonisë si gjendje e ekuilibrit, empatisë dhe bashkëjetesës. Në kontekst të mjediseve urbane moderne, siç janë Shkupi dhe Stambolli, të shënuara nga pasiguri dhe sfida të shpejta shoqërore e ekologjike, projekti hap hapësirë për dialog, reflektim dhe rilidhje.

 

Inspirimi vjen nga termi “harmoni” si “përputhje” ose “bashkim”, i cili përmes veprave merr një dimension më të thellë filozofik – një balancë mes të kundërtave dhe bashkëjetesës. Një theks i veçantë vendoset mbi natyrën, si hapësira ku ky ekuilibër shfaqet më qartë, por edhe si sistem që kërkon kujdes dhe mbrojtje.

 

Përmes artit vizual dhe qasjes konceptuale, ekspozita “H.O.P.E.” shtron pyetjen nëse harmonia mund të jetohet, dhe jo vetëm të imagjinohet, ndërsa shpresa shfaqet si proces kolektiv – e krijuar dhe e ruajtur përmes përvojës së përbashkët.

 

Hapja do të mbahet në hapësirën galeri të Qendrës Kulturore të Maqedonisë në Stamboll.

Accessibility Menu