Ekspozita “Llazar Sokollov – jeta dhe vepra”, e autorit mr. Ilija Vasileski, do të hapet të mërkurën, më 18 mars, në orën 19:30, në Muzeun e Luftës së Popullit të Maqedonisë për pavarësi. Llazar Sokollov ishte pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare dhe antifashiste të Maqedonisë (1941–1945) dhe një nga themeluesit e shtetit modern maqedonas në Sesionin e Parë të Kuvendit Antifashist për Çlirimin e Popullit të Maqedonisë.
Përmes materialit të pasur muzeal që përfshin fotografi, dokumente, objekte personale, si dhe dosjen e mbajtur nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit të Republikës Socialiste të Maqedonisë, ekspozita dokumenton rrugëtimin jetësor të intelektualit maqedonas që la gjurmë të forta në zhvillimet politike dhe socio-ekonomike gjatë krijimit të shtetit maqedonas.
Ekspozita përfshin aspekte të shumta nga aktivizmi i Llazar Sokollovit: si doktor i shkencave ekonomike i diplomuar në Universitetin e Zagrebit, pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare dhe antifashiste, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe të Maqedonisë, delegat në Sesionin e Parë të Kuvendit Antifashist, komisar për ekonominë dhe rindërtimin, deputet në Kuvendin Popullor të Maqedonisë dhe shkencëtar i frytshëm me një opus të gjerë në fushën e ekonomisë. Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri në mesin e prillit.